Rastësia ka qenë ajo për ta takuar në një klinikë spitalore të Prishtinës, dikur vajzën më të bukur të kryeqytetit, si dhe ndër më të bukurat në tërë vendin, e cila tani ndodhet në një gjendje jo të mirë shëndetësore, shkruan “Kosovarja”.

Ajo është e gjatë, biondinë, tërheqëse, ndërkaq në majin që e lamë pas i mbushi 27 vjet. Nuk është hera e parë që e kemi intervistuar për Revistën tonë, por ajo këtë herë flet me “letra çelë” për të gjitha fshehtësitë e tmerrshme të profesionit, karrierës dhe jetës së saj në botën e spektakleve.

Herën e fundit kur kemi biseduar me të për Revistën tonë ka qenë para dy vjetësh, kur ajo me disa pamje fotogjenike i është përgjigjur të gjitha pyetjeve tona.

Por, sot ajo ndodhet në një pozicion krejt tjetër…

Kur keni filluar të merreni me manikenizëm?

– Në moshën 16-vjeçare kam marrë pjesë në spektakle bukurie dhe prej atëherë jeta ime ka ndryshuar.

Kurrë nuk kam menduar se jam shumë e bukur, por kanë qenë shoqet e mia, si dhe motra, ato që më kanë nxitur të konkurroj në konkurset e bukurisë.

A keni fituar deri më tash ndonjë vend dhe a mendoni se e keni merituar?

– Më kanë ofruar organizatorët të jem mis po të shkoja në shtrat me ta, por nuk kam pranuar. Andaj, kam marrë tituj të ndryshëm, por jo edhe misi kryesor.

Cili ka qenë momenti më i trishtuar në jetën tuaj?

– Kur mora njërin nga titujt e misit bëra njëfarë emri dhe njerëzit filluan të më vardisen. Ishin kryesisht njerëz që merreshin me biznes.

Njëri ndër ta më ofroi edhe një kalendar për Vitin e Ri. Ishte ofertë joshëse dhe mendova në vete se do arrij edhe më tutje të afirmohem. Më tha se duhet të shkoj në zyrën e tij dhe atje vjen fotografi dhe m’i bën fotot.

Por, menjëherë më shkoi mendja se ai do më shfrytëzoj, andaj edhe e refuzova kategorikisht, madje duke shkëmbyer edhe fjalë fyese ndaj njëri-tjetrit.

Oferta për t’u fotografuar për firmat e tyre më kanë ofruar edhe kompani të ndryshme, por gjithmonë i kam refuzuar, sepse u kam ikur telasheve.

A ke marrë pjesë edhe herë të tjera në spektaklet e bukurisë?

– Kurrë më nuk do të mund të më bind njeri se do jem pjesë e ndonjë spektakli. Jam ngopur me dallavere.

Madje, edhe jam traumatizuar, andaj edhe më takuat këtu, ku jemi tash…

A të ka propozuar kush martesë?

– Po, por nuk ishin edhe aq bindës. Zakonisht, rreth meje silleshin dhe sillen burra të martuar, biznesmenë e politikanë.

Cilat janë planet tua për të ardhmen?

– Nuk di, kam mbetur në udhëkryq. Tash më shumë po mundohem t’i qetësoj nervat sesa të mendoj për të ardhmen time.

Mirëpo, megjithatë, e kam një dëshirë: Ishalla nuk e kanë fatin tim koleget e reja, të cilat ia mësyjnë spektakleve të bukurisë!

Kaq. D. H. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË