Mbi 140 fëmijë enden çdo ditë rrugëve të vendit duke kërkuar lëmoshë. Me paratë që ua dhurojnë kalimtarët, ata e sigurojnë kafshatën e gojës. Të tjerë ani pse të vegjël, kanë zgjedhur të punojnë. Ata mund t’i shohësh semaforëve duke pastruar xhamat. Kundër prindërve të këtyre fëmijëve, Policia e Kosovës ka ngritur mbi 40 kallëzime penale.

Rrugët e vendit janë të mbushura me fëmijë që kërkojnë lëmoshë.

Kushtet e rënda financiare, e mos kujdesi nga ana e prindërve i kanë detyruar ata që t’i dalin zot vetes në moshë kaq të re.

Në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se vetëm gjatë këtij viti janë identifikuar 20 fëmijë në rrugë që janë hasur duke kërkuar lëmoshë apo duke kryer punë të tjera si pastrim i xhamave të veturave.

“Gjatë vitit 2018 janë identifikuar gjithsej 127 fëmijë në situatë rruge, ndërsa në vitin 2019 janë identifikuar 20 fëmijë po në situatë rruge të cilët janë hasur qoftë duke kërkuar lëmoshë apo kryer punë tjera si pastrim të xhamave të veturave apo duke mbledhur hekurishte të ndryshme”, deklarojnë nga Zyra për Informim në Policinë e Kosovës.

Deklarojnë se në këto raste nuk ka pasur trafikim me njerëz, derisa deklarojnë se kanë ngritur mbi 40 kallëzime penale kundër prindërve të këtyre fëmijëve.

Në Polici thonë se fëmijët e identifikuar janë trajtuar sipas procedurave standarde dhe janë referuar në QPS përkatëse për trajtim të mëtutjeshëm.

“Nga verifikimet e kryera nga ana jonë nuk ka rezultuar me veprën penale Trafikim me Njerëz, ndërsa janë ngritur 41 kallëzime penale për veprën Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës, kundër prindërve të këtyre fëmijëve. Të gjithë fëmijët e identifikuar janë trajtuar sipas procedurave standarde dhe janë referuar në QPS përkatëse për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës./Gazeta Express

MUND TË JU PËLQEJNË