Njëtragjedi e dyfishtë është shënuar ditën e sotme për një familje në Elbasan, ku pas ceremonisë së varrimit të bashkëshortit, ka humbur jetën edhe gruaja së bashku me tre familjare që u përfshinë në një aksident zinxhirë.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se viktimat e këtij aksidenti tragjik të ndodhur në Papër të Elbasanit, janë Fatime Hoxha, Fatushe Agolli 64-vjeçe, Lume Hoxha 28-vjeçe, dhe një vajzë 30-vjeçare e quajtur Jonida Kotorri, të cila i përkasin së njëjtës familje me origjinë nga Gramshi, ndërsa kanë qenë në automjetin tip ‘Seat’ që ka përfunduar jashtë rrugës si pasojë e përplasjes.

Gazetari i Report Tv, Aldo Kozarja bën me dije se familjarët që kanë humbur jetën në aksident po ktheheshin nga një ceremoni mortore për t’i dhënë lamtumirën e fundit bashkëshortit të Fatime Hoxhës (viktimë e aksidentit), por që ky udhëtim rezultoi të kthehej në një mort më vete.

Makina tip ‘Seat’ drejtohej nga Gëzim Kotorri i cili ka mbetur i plagosur gjithashtu nga përplasja e fortë. Shoferi i automjetit tjetër që është përfshirë në këtë aksident quhet Oltion Shehi ndërsa shoferi i tretë është E.R. Të tre shoferët janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Sipas Burimeve të Report Tv, makina tip ‘Seat’ ku ndodheshin viktimat fillimisht ka humbur kontrollin dhe është rrotulluar disa herë në rrugë për shkak të lagështisë dhe më pas është goditur nga makina tjetër, ndërsa pas saj një tjetër makinë është përfshirë në aksident.

“Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e shkakut të aksidentit”, thotë policia në një njoftim paraprak. Është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të nxjerrë të plagosurit nga automjeti.

Aksidenti ndodhi në të njëjtin vend ku disa kohë më parë humbi jetën një 25-vjeçar. Ndërkohë që shkak për këtë aksident tragjik dyshohet të jetë bërë lagështia në rrugë që ka bërë spostimin jashtë rruge të mjetit tip Seat.

Në raportin e publikuar këtë të hënë nga INSTAT, 137 njerëz kanë humbur jetën nga aksidentet rrugore në tetë muajt e parë të këtij viti. Këtë vit vërehet një rritje e ndjeshme e femrave që kanë humbur jetën nga aksidentet rrugore.

Viti 2019 rezulton të ketë ‘ndërgjegjësuar’ qarkun e Dibrës, i cili ka ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve për këtë 8 mujor (janar- gusht). Sipas publikimit më të fundit të Instat për aksidentet rrugore, gjatë kësaj periudhe në qarkun e Dibrës janë shënuar 8 aksidente rrugore, ndërkohë që për janar- gusht 2018, ky numër ishte 24. Ndërsa qarku i Tiranës, vazhdon të jetë në vendin e parë. Vendi i dytë i përket qarkut të Lezhës me 111 aksidente rrugore në 8 muaj. Por përpos shifrave dëmi ekonomik që vjen nga aksidentet mbetet i lartë në shifrat e 2 mld lekëve.

MUND TË JU PËLQEJNË