Shkollimin e kanë kryer në Kosovë, por tani mjekët kosovarë duan të punojnë kryesisht në Gjermani. Ky shtet së fundmi po ua bënë më të lehtë atyre duke u ofruar migrim të ligjshëm. Kjo ka bërë që në çdo tre ditë, një mjek e infermier të largohet nga Kosova, ndërkohë që numri i tyre që kanë lënë vendin brenda dy vitesh ka shkuar në afro 250. Oda dhe Sindikata e mjekëve thonë se në bazë të trendit aktual Kosova në një atë ardhme rrezikon të mbetet pa profesionistë shëndetësorë. Tash mjek nga tregu i Kosovës po kërkon edhe Zvicra.

Mjekëve kosovarë siç duket po ia sheh hairin shteti gjerman. Madje thirrje për migrim më të lehtë drejtë këtij shteti po bën edhe vet kreu i shëndetësisë, ministri gjerman, Jens Spahn. Dikasteri që ai e udhëheq ka nevojë edhe për 80 mijë punëtorë shëndetësor. E si resurse adekuate, këta punonjës po mendojnë që t’i marrin nga Kosova mjekët e rijnë kosovarë që kanë diplomuar pas luftës.

“E vërteta është se ata që janë lindur para 18 vitesh nuk mund që sot t’i edukojmë profesionalisht. Nuk mund të mbulojmë kërkesat e mëdha për profesionistë të shkolluar prej mbi 80 mije punonjës me kuadro mjekësore nga brenda. Po, ne duam më shumë profesionistë të edukuar. Por, na duhet fuqia profesioniste nga vendet e tjera”, tha ministri gjerman në një fjalim në Bundestagun gjerman të premten.

Deklarata e tij vjen pas kritikave të opozitës në Gjermani se ministri po kërkon kuadro nga sektori i shëndetësisë në Kosovë.

“A e dini se çka po më nervozon më së shumti? Dyfytyrësia juaj. Ky është pikërisht ai lloj imigrimin qe duam”, tha ai.

“Kur isha në Prishtinë në Kosove, takova 18-vjeçarë, bisedova me ta në një gjermanishte standarde pa theks. Edhe pse nuk ishin kurrë në Gjermani, ata thonë se e mësuan gjuhën e këtij vendi për të qenë gati kur do ta kenë shansin e tyre të parë në Gjermani. Sepse duan të ndajnë vlerat e këtij vendi me neve. Sepse duan të zhvendosen këtu, jo për të shkaktuar dëme, por për të jetuar këtu. Ky është pikërisht ai lloj imigrimi që neve na duhet. Shpresoj se do të thoni PO më në fund. Kjo është saktësisht ajo që neve na duhet!”, tha ministri gjerman, që vjen nga radhët e CDU.

Por të rrezikshme këto deklarata të ministrit po duken nga ana e profesionistëve shëndetësorë. Në një prononcim, kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sjediu po shprehet se nëse vazhdohet me këtë trend, Kosova për një kohë shumë të shkurtër rrezikon që të mbetet pa profesionist të rijnë shëndetësorë.

Sipas tij, në bazë të matjeve që i kanë bërë për çdo tre ditë, një mjek po largohet nga Kosova. Ndërkohë që për dy vitet e fundit, nga vendi kanë ikur 215 profesionistë shëndetësorë.

“Situata është shqetësuese. Duhet të merren seriozisht nga ana e shtetit këto ikje. Ne qysh para një kohe e kemi paparaparë se do të ndodhë ky rrezik. Po bëhet marketing i madh përmes së cilit mjekët po joshen për të punuar jashtë Kosovës. Nuk është çështja vetëm tek rroga por edhe të mundësitë që shteti po ia ofron të rinjve, profesionistëve shëndetësorë”, thotë Sjediu.

Ai deklaron se shumica e profesionisteve të rijnë, janë duke i vijuar kurset e gjuhës gjermane e angleze. Me të vetmin qëllim, atë të migrimit jashtë Kosovës.

“Nëse vazhdon kështu, Kosova do të mbesë pa mjekë. Mbi 90 për qind e tyre janë duke i vijuar kurset e gjermanishtes dhe të anglishtes. Rritja e rrogave që ndodhi tash është vetëm fasadë. Në dy vitet e fundit neve na kanë ikur rreth 215 profesionistë shëndetësorë”, thotë Sejdiu.

E shqetësuese gjithë këtë situatë po e sheh edhe Sindikata e Shëndetësisë kosovare.

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë po deklaron se përveç Gjermanisë, interesim për mjekët kosovarë po shpreh edhe Zvicra.

“Ne kemi paralajmëruar. Kjo situatë është shumë e rrezikshme. Ne tash edhe nga ana e Zvicrrës kemi kërkesa për mjekë. Ka rrezikshmëri që këto dy shtete, Gjermania e Zvicrra t’i gëlltisin mjekët kosovarë”, thotë Syla duke shtuar se deklaratat e ministrit gjerman, duhet të shihen si serioze nga ana e institucioneve publike shëndetësore në Kosovë.

“Deklarata e ministrit shkon në favor të asaj që ne mund të mbesim pa kuadrin e ri, ndërsa Gjermania t’i zëvendësoje mjekët e saj, me mjekët e rijnë kosovarë. Shteti duhet ta sigurojë vendin e punës mjekëve tanë. Kjo çështje duhet të kthehet në politikë nacionale. Mos të na ikun këta njerëz për shkak të mungesave që i kemi në vendin tonë”, shpreh shqetësimet e tija Syla.

Ai deklaron se rekrutimet e mjekëve kosovarë për në Gjermani në të shumtën e rasteve po bëhen në mënyrë të jashtëligjshëm përmes kompanie private në vend të cilat po i joshin me oferta mjekët tanë.

”Sa kam unë informata për ditë ka kërkesa të mjekëve. Ikja e mjekëve mund të mos shkojnë në mënyrë të ligjshme. Kompanitë që i rekrutojnë i marrin prej shtetit gjerman para të mëdha”, thotë Syla.

Megjithëkëtë, Express, ka provuar që ta marrë edhe nëj përgjigje nga ana e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismailit. Mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm për gazetën. Ani se Ismaili pati premtuar në fillimin e mandatit të tij se do t’i përmirësojë kushtet që mjekët mos ta lenë Kosovë, megjithatë, ikja po vazhdon.

Ndryshe Ministri Jens Spahn gjatë këtij viti e kishte vizituar Kosovën. Madje e pati nënshkruar edhe një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë për bashkëpunim me palën kosovare në fushën e shëndetësisë.

Alarmi u dha edhe në korrik, kur ministri Spahn, haptas pati deklaruar para palës kosovare se Gjermania ka nevojë për rreth 70 mijë infermierë.

“Gjermania ka nevojë për ardhje të ekspertëve të fushës së infermierisë dhe nga sot me nënshkrimin e marrëveshjes kemi krijuar një bazë të përbashkët, që është qëllimi final, shkollimi profesional nëpër shkolla, i cili i referohet standardit gjerman”, tha atëherë ministri Spahn.

Sidoqoftë, ndonëse po konsiderohet shqetësues fakti i ikjes së mjekëve nga Kosova, profesionistë shëndetësorë po thonë se në anën tjetër se nuk ka një strategji për mbajtjen e tyre në vend. Derisa sipas statistikave të fundit thuhet se janë mbi 400 mjekë specialistë që tashmë ndër vite kanë ikur nga Kosova./GazetaExpress/

MUND TË JU PËLQEJNË