Keq të shkosh në spital për shërim e nuk ka barëra. Por, edhe më keq që pasdite nuk ka as mjek, sepse ikin në klinikat e veta private. Por, edhe më keq është kur djali i rrahë prindërit pse nuk kanë t’i japin para për drogë, plus i rrahë edhe një herë më shumë pse nuk kanë para, shkruan “Kosovarja”.

Kur dikush shkon në QKUK, më së shpeshti i dëgjon fjalët: “Mos të bëftë Zoti për spital të Prishtinës!”. Nëse e tëhollojmë shumë këtë fjali, domethënia e saj nuk vlen vetëm për spitalet, por ajo kap një fushë të tërë veprimtarish njerëzore dhe qeveritare, humane e johumane, madje për rastet tona edhe kriminale.

Pamje e shëmtuar është kur pacientët dalin në pizhame për të blerë ilaçe, apo edhe më keq, ai që pas një a dy ore ka për të hyrë në operacion, duhet të dalë për të blerë opiumin që do ta hedhë në gjumë disa orë. Kjo skenë mizore e QKUK-së, apo e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ndodh vetëm tash, por me vite të tëra. Ndërrohen shumë drejtorë e shumë stafe udhëheqës e menaxherie, por gjendja është e njëjtë. Nuk ndryshon gjë për pacientët. Mizoritë vazhdojnë e vazhdojnë…

Mjekët që emërohen për të bërë punën e vet bëjnë politikë për të mbetur në kolltuk, por as kolltuku nuk u zgjat shumë.

Tragjikë e posaçme luhet me pacientët që duhet kërkuar ilaçe.
Pse pacientët shkojnë në spital kur nuk ka barëra, kur nuk ka infuzion, kur nuk ka as gjëra elementare? A shërohen vetëm nëse shkojnë në spital dhe vetëm duke i parë muret dhe mjekët deri në orën 12 apo duhet më shumë për shërim?

Me siguri, nuk shërohen vetëm kur e shohin spitalin dhe kur thonë se jemi në spital, sepse spitaleve u duhen barëra, u duhen infuzione, u duhen opium, u duhen trajtime korrekte dhe prani të mjekut në orarin e punës dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Nuk shërohet pacienti vetëm duke u dhënë bukë e patate nga kuzhina të klinikave të QKUK-së!
Pamjet e mjekëve duke folur në konferenca shtypi vazhdojnë, e avazi i pacientëve duke blerë ilaçe, po ashtu, vazhdon!

Të gjitha vazhdojnë…

Ministri i tashëm i Shëndetësisë, por edhe të tjerët para tij, vazhdon të premtojë dhe premton, sikur edhe drejtorët aktual të klinikave se do t’i thyejë të gjitha rregullat tenderuese për të bërë furnizim me ilaçe të QKUK-së me atë buxhet që posedon kjo qendër, shkruan “Kosovarja”.
Premtime e premtime dhe të këqija e të këqija ndodhin çdo ditë. E, ky është fati i pacientit tonë që duhet të kërkojë ndihmë te mjeku në spitalet tona…

Megjithatë, ka keq e më keq. Teksa i ankohej një pacient mikut, duke i treguar se këtu nuk ka asgjë, vizitori i bëri të ditur se ka keq e më keq.

Pra, e keqja s’ka fund…

Qeshte kur e dënuan me vdekje!
Tre të burgosur po bisedonin në dhomën e burgut. Njëri prej tyre sapo ishte kthyer nga gjykata ku kishte marrë shqiptimin e dënimit me vdekje. E pyetën shokët:

“Çka u bë? A shpëtove?”.

“Jo hedi, nuk shpëtova, por më dënuan me vdekje!”.

“Aiii, sa keq paskan bërë! Si ashtu ore?!”.

“Ka edhe më keq!”, ua ktheu ai.

“Çka mund të ketë më keq?!”, pyetën të burgosurit shokun e tyre.

“Do të ishte edhe më keq sikur t’më vrisnin me plumb!”.

Shokët iu ofruan edhe më afër dhe, duke i tundur kokat para tij në shenjë pohimi, i thonë:

“Po, edhe më keq do të ishte!”.

“E po qe se më ngulin në hu gardhi edhe më keq do të ishte!”, ua kthen ai.

“E, si po të bien në mendje, ore burrë, gjithë këto fjalë, kur ti sapo je dënuar dhe po të punon koka si ora Sergisuf?!”, i thonë ata.

“Edhe ju kur të dënoheni do u punojë mendja sikur edhe mua, por sa të jeni të padënuar nuk ka nevojë të punojë truri më mirë se që jeni tash”, ua ktheu ai.

Prandaj, ka edhe më keq se të jesh pacient në spitalet e Prishtinës. Edhe më keq sikur të keni depresion që u qon në vetëvrasje…

Është edhe më keq nëse është njeriu i paralizuar e nuk mund të ngrihet për të siguruar as barëra, edhe sikur ta ketë paranë e botës…

Por, është edhe më keq nëse jeni në spital e s’ka kush t’u vizitojë fare…

Zoti u lashtë shëndosh!

Shkon një burrë për kryeshëndosh në një fshat. Posa hyn në odë ulet në krye të vendit dhe i shprehë ngushëllime burrit në ballë të oxhakut:

“Zoti u lashtë shëndosh për Hajdarin, eh, burri që ishte! Nuk ka pasur me të!”, u thotë ai.

Burri, në ballë të oxhakut, i thotë:

“Hajdari është afër teje, kah krahu i djathtë!”.

“Oh, bre, Zoti u lashtë shëndosh për Jasharin, se e paskam marr vesh gabim. Ka qenë burrë i burrave…”, thotë tutje.

Njeriu, në ballë të oxhakut, ia kthen:

“Nuk ka vdekur as Jashari, këtu pari është diku…”.

Mysafiri, i zënë ngushtë, ia kthen:

“Po kush hamamin ka vdekur, pra?! Dikush e ka hangar këtu, por s’po di kush?!”.

Tullug në çdo anë!
Keq e më keq, apo siç thotë populli, tullug po shkon në çdo anë. Por, ai që e qon pluhurin shpesh edhe nuk duket nga pluhuri…

Shikoj te “Xhamia e Madhe” në Prishtinë disa libra e gjësende të tjera që shesin fetarët, njerëzit që në zhargonin popullor do ishin më të besuarit. Disa djem me mjekra, por nga sjellja shumë në nivel. Kërkoj një libërth (nuk di si ta quaj ndryshe, sepse në kohën e fëmijërisë sime njerëzit e quanin musaf). Njëri prej atyre me mjekra më thotë:

“Nuk ka më asi libri që kërkon ti”.

“Pse, he burrë, nuk ka të tillë?”, e pyes unë.

“Është haram të barten ata, sepse njerëzit i bartin në vetura, i bartin në xhepa, hyjnë e dalin me të çdo kund…”.

“Pse haram ta kesh me vete një musaf?”, pyes veten.

Dhe, teksa largohem prej tij, eci mendueshëm, duke analizuar përgjigjet e djaloshit me mjekër, pse qenka haram të mbahet një musaf, apo një libërth që mund të ketë diçka kuranore. Dhe, teksa eci, më bie në mend: Pse nuk i pyeta se cilit grup fetar i takonin, sepse edhe te ne tash ka grupe. Por, pas pak sikur gjej zgjidhje: Më mirë të eci për në shtëpi e të mos nxjerr ndonjë bela të re se kushedi…

E mora këtë shembull për të dalë diku tjetër, te harami qeveritar apo i njerëzve të pushtetshëm, të cilët e fusin në përdorim paranë e shtetit për qëllime luksi. Nuk investojnë për ilaçe, nuk investojnë për pacientët që ata të shërohen dhe të kthehen në shtëpi… Investojnë në limuzina e në gjëra të tjera, por jo në shërim e as për popullatën sociale. Investojnë në asfalt vend e pa vend, por jo në njerëz që kanë nevojë ta rikthejnë buzëqeshjen dhe shëndetin.

Keq, a?

Kurrë nuk i kam numëruar të gjitha të këqijat…

Rri dhe mendoj sa të këqija paska jeta njerëzore në Kosovë. Kurrë nuk i kam numëruar të gjitha. Ra kjo ditë dhe e shoh sa shumë gjëra të këqija paska.

Teksa pi kafenë e mëngjesit, një burrë që shet telefona mobilë tregon se si një djalë i rrahë çdo ditë prindërit e vet, duke u kërkuar para për drogë. E, kur ata nuk i japin para, u thotë: “Pse nuk keni para?!”.

“A jetojnë ata në banesë apo në shtëpi?”, pyet njëri prej nesh burrin që tregon këtë ngjarje.

“Në shtëpi jetojnë dhe nuk është më e lartë se një kat”, u thotë ai.

“Mirë qenka, sepse sot po ndodh gjithçka, po hidhen njerëzit edhe nga katet e larta të banimit. Njeriu sot ka pak vlerë, sepse për shumëkënd më shumë vlerë ka paraja”, ia kthen tjetri.

Arrij në shtëpi me shumë mendime dhe preokupime ditore dhe gruaja më thotë me të hyrë brenda:

“Çka i ke palosur veshët? Je pa qejf, a?!”.

Nuk i dhashë përgjigje fare, por gjeta vend në ballë të sallonit. Ngrihem dhe shikohem në pasqyrë si i kam veshët dhe a janë palosur a jo, sikur më tha gruaja dhe ajo sërish më pyet a jam mirë…

“Mirë jam, edhe veshët i paskam mirë, ndjej se duhet të urtohem, sot po ndodh gjithçka dhe duhet ta përdor maksimën e vjetër edhe për kohën e re, sepse qenka e vetmja gjë që ia vlen të ruhet edhe për sot: “Qengji i butë i thithë dy nëna!”. Prandaj, rri urtë e jeto edhe ndonjë ditë!

Dikur nuk ishte kështu…

Si ta kthej kohën e vjetër?

Babai ka vdekur, por të vdesësh me fytyrë qenka njëfarë lumturie. A dini si thoshin dikur në oda: “Do vijë një kohë me i marrë lakmi të vdekurit!”.

A mos është tash mu ajo kohë për të cilën flisnin pleqtë dikur? Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË