Qeveria në detyrë e Kosovës nuk e ka në plan ta ndryshojë orarin e kufizimit të lëvizjeve të qytetarëve. Më 23 mars, Qeveria, tashmë në detyrë, kishte vendosur që nga 24 marsi të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve, si masë për mbrojtje nga koronavirusi COVID-19.

Në një mbledhje online të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur në orët e vona të së hënës, është vendosur që lëvizja të kufizohet nga ora 10:00 deri në 16:00 dhe nga 20:00 deri në 6:00.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se vendimi i Qeverisë për kufizimin e qarkullimit përgjatë orareve të përshkruara vazhdon të jetë në fuqi.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve te Brendshme dhe Administratës Publike zhvillojnë diskutime në baza ditore me institucionet përgjegjëse për zbatimin dhe monitorimin e vendimeve të Qeverisë me qëllim të matjes së efikasitetit të masave të vendosura për parandalimin e pandemisë COVID-19. Për çdo vendim eventual që ndryshon masat e deritanishme, qytetarët e Republikës së Kosovës do të njoftohen me kohë”, tha Kryeziu për Koha.net.

Porse thirrjet për t’u ndryshuar oraret e vendosura nga Qeveria tash në detyrë, kanë vazhduar edhe sot.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar rishqyrtim të orarit të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, pasi sipas tij, në këtë kohë në kryeqytet po shihen numër i madh i qytetarëve në lëvizje.

Përmes një reagimi në rrjetin sociale facebook, Ahmeti thotë se “definitivisht vendimi për orare të kufizimit duhet të rishikohet sa më shpejtë”.

“Edhe një ditë më shumë do të jetë problem. Radha të gjata dhe tollovi në markete në Prishtinë. Pas bisedave me nivelin qendror sot, mendoj se kjo është në të mirë të qëllimit të përbashkët”, shkruan kryetari Ahmeti.

Edhe gjatë ditës së djeshme, Ahmeti e hapi po të njëjtin shqetësim për këtë temë.

“Vendimi për restriksionet 20-06 dhe 10-16 duhet urgjentisht të rishikohet. Informatat nga qyteti në periudhën 16-20 tregojnë grumbullime të panumërta të 20 e më shumë personave nëpër markete. Më e rrugës do të ishte 18 – 06 ose edhe më gjatë por jo kështu. Po krijohet pasiguri për qytetarët. Nuk është dobësi me ndërru politikën pas provës”, ka shkruar ai.

Kërkesë e njëjtë dje ka qenë edhe nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.

“Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht, sonte, ta heqë vendimin për ndalim qarkullim gjatë ditës. Ky vendim po del të jetë tepër i gabueshëm. Në orët kur lejohet lëvizja po ka turma të njerëzve që vrapojnë për t’u furnizuar apo kryer obligime tjera. Urgjent ju lutem”, ka thënë Gjini.

Me një vendim që ka marrë Qeveria tash në detyrë, kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 16:00. Kufizimi kthehet edhe prej orës 20:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit.

MUND TË JU PËLQEJNË