Në kohën e fëmijërisë sime festat i përcillnim me brohoritje në serbisht, edhe pse në fshatin tim të lindjes nuk jetonte asnjë serb! Na detyronin neve, shqiptarëve, të brohorisnim serbisht! E, ai që nuk hynte në “valle” hante burg, madje burg të rëndë…

E sot, disa politikanë e deputetë tanë mendojnë se historia e Kosovës fillon me ta! Dinë vetëm të kritikojnë dhe mendojnë se themelet e Kosovës nisin me ta, kurse harrojnë se sa e sa breza shqiptarësh janë sakrifikuar për lirinë që e kemi sot, për këtë festë që festojmë sot…
Mësuesi im, i cili ka pesë vjet që është në pension, një ditë, kur edhe u takuam rastësisht në rrugë, e pranoi këtë konstatim timin. Dhe, për të dalë te tema që dua ta shpalosë nga pluhuri i kohës, është fakti se sot shumë njerëz të politikës, madje edhe deputetë të Parlamentit të Kosovës, nuk kanë lidhje me asnjë kohë historie që ka kaluar Kosova dhe populli ynë.

E ata që kaluan nëpër atë kohë ose i kanë plagët në shpirt ose në trup…

Ndërkaq, ata që nuk kanë kaluar nëpër ato sfida dhe që kanë hyrë në jetën politike vetëm për karrierë dhe për t’u pasuruar, është mirë ta dinë se si kanë ardhur deri te karrigia…

Për një fjalë – 15 vjet burg!

Ju që jeni politikanë të pasluftës, ndoshta mendoni se Kosova kështu ka qenë gjithmonë… Dikur nuk kishim guxim ta thoshim fjalën “republikë”, sepse të prisnin 15 vjet burg! Dhe, sa herë vinte ndonjë politikan jugosllav në vizitë në Kosovë, së pari fillonin arrestimet, izolimet e shqiptarëve më në zë, që punonin për “Kosovën-republikë”.

E, se Kosova do të bëhej shtet, këtë nuk e kishin menduar as marksistët-leninistët më të mëdhenj të kohës, madje as prijësit e demonstratave të 81-shit e as ata të vitit 89!

Ndërkaq, disa politikanë e deputetë tanë, për të mos thënë shumica prej tyre, flasin kinse kështu ka qenë gjithmonë, pastër, pa Serbi!
Ata as që e dinë historinë! As që dinë se në kohën e Rankoviqit mijëra shqiptarë ikën për në Turqi nga dhuna serbe dhe nuk u kthyen kurrë më!

Pastaj, në vitet 90 qindra mijëra shqiptarë ia mësynë Evropës dhe as ata nuk u kthyen kurrë më!

Tronditem kur e kujtoj të kaluarën!

Tronditem edhe sot kur e kujtoj se në fshatin tim kurrë s’ka pasur asnjë serb, kurse parullat i brohorisnim serbisht!
Babai im kishte qenë ballist dhe me kohë më pat paralajmëruar se ne, rinia, nuk e dimë se çka është në gjendje të bëjë Serbia mbi shqiptarët…

Dhe, mu ajo Serbi në vitin 1999 vrau, rrahu dhe largoi me dhunë një milion shqiptarë nga Kosova, me synim se nuk do të kthehen kurrë më në tokat e tyre…

Ja, pra, politikanë të pasluftës, kjo është shkurtimisht historia e Kosovës, e popullit tonë. Andaj, historia e Kosovës, siç po e shihni, nuk fillon me ju, por ka rënduar me dekada mbi kurrizin e atyre, që shumë prej tyre nuk janë më në jetë.
E, ndër ta, pa dyshim, janë intelektualët Fehmi Agani dhe Ukshin Hoti.
Dhe, mijëra të tjerë…

Safet Krivaça (“Kosovarja”)

MUND TË JU PËLQEJNË