Më shumë se herave të tjera, para hotelit të Ministrit të Jashtëm në Detyrë, Behgjet Pacollit, në Prishtinë janë parë vetura me targa të Shqipërisë. Me sa duket, persona që vijnë nga ky vend kanë zgjedhur ‘Swiss Diamond Hotel’ që të rrijnë derisa situata atje të qetësohet, pas tërmetit vdekjeprurës që ndodhi të martën.

Mëngjesin e së martës, vendi ynë fqinjë Shqipëria u godit nga fatkeqësia më e madhe ndër dekada. Tërmeti 6.4 ballë la 51 persona të vdekur e mbi 900 të lënduar.

Veç kësaj, shumë ndërtesa atje janë shpallur si të pabanueshme, me ç’rast me mijëra shqiptarë ja kanë mësyer Kosovës, pasi gjendja këtu është më e sigurtë.

Mysafirë nga Shqipëria, siç duket ka edhe në hotelin e politikanit kosovar, Behgjet Pacolli. Në oborrin e këtij në Prishtinë, janë parë disa vetura luksoze me targa të Shqipërisë.

Ende nuk dihet nëse këta kanë ardhur këtu që të rrijnë derisa situata në vend të qetësohet, apo kanë qenë edhe të ftuar të Pacollit.

Kujtojmë se ditë më parë, ky i fundit konfirmoi se ka ndarë 1 milion euro për të prekurit nga tërmeti, gjë për të cilën mori shumë reagime pozitive.
Po ashtu, Pacolli theksoi se pret që të pranojë familje edhe në Prishtinë, sidoqoftë, nuk dihej nëse e kishte fjalën ose jo për hotelin e tij luksoz.

“Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet.Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”, tha ai dy ditë më parë.

Kujtojmë se shumë vende fqinje por edhe më tej të Europës, janë mobilizuar që të ndihmojnë Shqipërinë pas kësaj kastastrofe natyrore.

Përveç ndihmës me ekipe shpëtuese e forca ushtarake, janë ndarë edhe para nga biznismenë, politikanë e Qeveri të vendeve të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe atë të Kosovës, e cila ka ndarë 500.000 euro.
Ndërkaq, përveç Qeverisë, edhe Komuna të shumëta në Kosovë kanë mbledhur shuma të mëdha parash, të cilat do të shkojnë në ndihmë për të prekurit nga tërmeti./gazetametro.net

MUND TË JU PËLQEJNË