Ndonëse nuk pritet të ketë dialog të mirëfilltë pa u mbajtur zgjedhjet serbe, të cilat pritet të ndodhin në mars të vitit 2020, Serbia po armatoset me armë të rënda nga Rusia, shkruan “Kosovarja”.

Lëvizja e Turqisë kah Moska shihet si një lëvizje bashkëpunimi jo vetëm Ankara-Moskë, por edhe Ankara-Beograd. Armatosjet e fundit të Serbisë me armë të rënda S-400, shihen si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Kosovës.

SHBA-të e kanë alarmuar Serbinë për sanksione të mundshme, shkaku i blerjes së raketave S-400, që u stacionuan në Batajnicë të Beogradit, e kjo shihet si një kërcënim në prag të dialogut Kosovë-Serbi!

Serbia, duke blerë armë të rënda nga Rusia, po e shton presionin ndaj Kosovës, duke përdorur një taktikë se shqiptarët duhet të pajtohen me ndarjen e Kosovës.

Blerja e këtij armatimi, së bashku me disa avionë luftarakë rusë, janë treguesit më të mirë se Serbia po përgatitet edhe për një luftë në Ballkan. Në këtë rast, vijat e vëna nga Millosheviqi tani do të hynin nën ombrellën e Serbisë së madhe.

Diplomacia amerikane dhe fqinjët e Serbisë, kanë reaguar kundër armatosjes së Beogradit zyrtar dhe pranisë së ushtarakëve të lartë rusë në Beograd dhe në Batajnicë.

Ndërkaq, shumë analistë dhe qarqe diplomatike në botë, përfshirë edhe ish-presidentin e ish-Bashkimit Sovjetik, Mihal Gërbaçov, thonë se rreziku për një luftë të tretë kurrë nuk ka qenë më i madh.

Gërbaçovi e di nga vjen rreziku i kësaj lufte, edhe pse Vuçiçi tha se ai nuk do të jetë naiv që të konfrontohet me Amerikën, por nuk do t’i vinte mirë nëse SHBA-të fusin sanksione ekonomike kundër Serbisë.

Sidoqoftë, armatosja e Serbisë shihet si një kthim i mentalitetit të viteve nëntëdhjetë, me Millosheviqin në krye.

Sepse, armatosja e Serbisë nga Rusia i rrezikon direkt Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën, dy shtete, entitetet e të cilave synohen nga okupimi i Beogradit për ta bërë Serbinë e madhe.

Andaj, hapja e dialogut Kosovë-Serbi, nën llupën e armatimit të rëndë të Serbisë, mund ta pengojë arritjen e një marrëveshjeje për njohje të ndërsjellë.

Gjuha e Vuçiçit se Serbia duhet të fitojë diçka, aludon direkt në ndarjen e Kosovës, për çka analistët e shohin edhe arsyen e armatosjes së Serbisë. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË