Nëna ime jetoi në kohën kur nuk kishte shpikje astronomike dhe shejtani nuk kishte arritur të futej në duart e saj, e as të grave të tjera. Duart e grave ishin esëll, pa shejtan.

Për ta trembur dhe larguar shejtanin, femra kinse duhet të mbulohet. Mbulesa gjoja e largon djallin! Megjithatë, shpikja ka sjell diçka më të madhe: celularin telefonik dhe ky është “shejtani” më i madh që e bart sot femra, secila femër, me apo pa mbulesë, ndonëse një formulë është e saktë: “Femra është femër dhe varroset deri në fyt”; barti apo nuk barti mbulesë, ferexhe apo e pambuluar.

E, femra e moralshme, sa i përket nderit, nuk varet nga mbulesa. Femra fisnike dhe e ndershme është e tillë si me të e si pa të…
Nëna ime vishte ferexhe. Por, kohët ndryshuan dhe erdhi ligji që ferexheja të hiqet. Femrat aso kohe atë vendim e kuptuan si reformim personal dhe çlirim të identitetit femëror.

Ferexheja dhe muhabeti rreth saj aso kohe u bë tema kryesore në oda. Ne, fëmijët, nuk e kuptonim këtë domethënie që pretendohej nga fanatikët të ishte një ndikim komunizmi, që e bënte femrën shqiptare ideologjikisht më afër sllavizmit.
Sidoqoftë, ferexheja që mbulonte trupin e femrës para 50 vitesh, ishte më e pranueshme se kjo që vishet sot prej femrës sonë. Atëbotë, gratë në kalim e sipër rrugës mbanin në dorë edhe facuetë, me të cilën e mbulonin gojën në momentin kur parakalonte pranë saj ndonjë burrë i huaj…

Por, në odat tona gratë dhe motrat tona u flisnin burrave për dore e jo me një përshëndetje nga dera, siç bëjnë sot disa “femra të mbuluara”. Në dorën e femrës aso kohe nuk fshihej shejtani e djalli. Nuk kishte pse të mos ia jepte dorën gruaja burrit të huaj, përderisa në personalitetin e saj qëndronte stoicizmi i moralit dhe vetëbesimi i saj…
Nuk ka qenë adet që nëse ndokush thërriste te dera e oborrit të mos përgjigjej gruaja apo vajza, edhe nëse aty nuk ishin burrat.

E, ky ishte islami popullor që e kultivoi Kosova me shekuj. Ky ishte islami mes religjionit kuranor dhe shpirtit fisnik të këtij populli. Ishte islami i sinqertë popullor që fisnikëronte shpirtin njerëzor kosovar me edukimin fetar për aq sa dinin, por kombi dhe vlerat kombëtare ishin para të gjithave.

Megjithatë, ishim më të mirë se sot, sepse populli kishte besën që nuk thyhej dot…

Dhe, në kujtim të së kaluarës, kur u hoq ferexheja, nuk u shpërrallua femra jonë e as nuk u përligj nderi e morali i saj. Ajo mbrojti veten shumë më mirë se që mund ta bëjë këtë gjë sot, meqë një femër që e bartë mbulesën e sotme mund të zgjedhë një ngjyrë shumë të ndezur, e që josh shumë më shumë burra te ajo sesa kur ajo ecë me veshje krejt normale.

Sot djalli nuk ka nevojë të jetë në dorë, sepse ai është në shpirtin e njeriut, konkretisht të femrës. Sot nuk ka nevojë të rrudhet dora, sepse secila femër e mbuluar ka telefon celular, ku mund ta fsheh djallin dhe shejtanin. Secila femër mund ta ketë djallin në kompjuter para vetes dhe ta sheh sa herë që e hapë atë…

Secila femër, pa marrë parasysh a është e mbuluar apo pa mbulesë, mund të ketë qasje celulare në rrjetin e internetit dhe mund ta kërkojë e gjejë djallin a shejtanin në çdo kohë.

Shejtani sot rrinë aty ku e kërkon çdo femër, me apo pa mbulesë. Ashtu sikur e parasheh varrimin e femrës në varr deri në fyt, kjo nuk i dallon femrat e mbuluara apo të pambuluara.

Nëse mbulesa është shpikur për shkak të shejtanit, apo ndikimeve emotive që mund të prekin një femër, po nuk qe ajo e ndershme, mbulesa nuk i shërben për ta mbrojtur nga shejtani. Shejtanin e largon fisnikëria shpirtërore, vetëbesimi dhe edukimi moral, e jo mbulesa.

Por, ngjashëm është edhe nëse nuk ka mbulesë: Po qe femër me këto elemente të mburojës shpirtërore, nuk i duhet mbulesa. Këtë digresion po e bëj vetëm për krahasim moral, jo edhe fetar, sepse ana fetare e Kuranit ka kapitull interpretimi në vete, për çka unë nuk jam kompetent e as që kam pretendime të flas.

Në botë diku e ndalojnë ferexhenë në institucionet publike, diku e lejojnë, kurse diku edhe e gjykojnë të rrezikshme…

Por, në Kosovë mbulesa po merr përmasa. Nuk jemi për ndalesë, por ka frikë se Kosova mund të përfshihet nga arabizmi sektar dhe ndërfetar dhe përplasja të ketë pasoja. Sinjale të tilla ka dhe po shfaqen. Shteti nuk ka mekanizëm për t’i mbajtur nën kontroll lëvizjet ndërfetare në Kosovë, e as pengimin e futjes së financave për qëllime fetare, e që mund të kenë destinacione të caktuara.

Andaj, shteti nuk guxon të jetë vetëm spektator i këtyre proceseve, por duhet të jetë faktor determinues i kontrollit. Kjo do të bëhej duke e kontrolluar BIK-un dhe financimet, duke ndikuar në ruajtjen e tolerancës ndërfetare apo brendafetare, ashtu siç njihet për të mirë Kosova deri më tani.

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË