Ende, edhe sot e kësaj dite, nuk mund të besoj me atë çka ka ndodhur mes meje dhe Blerimit, cimerit tim. Jam shokuar kur e kam parë ish-të dashurën time, me të cilën isha në lidhje një vit, se bëhej nuse e shokut tim të studimeve, shkruan “Kosovarja”.

Banoja në një banesë njëdhomëshe në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë bashkë me Blerimin, sepse të dy studionin në Fakultetin Ekonomik. Ai ishte nga Gjilani, ndërkaq unë nga Ferizaj, por u njohëm në ligjërata dhe vendosëm të gjenim një banesë të përbashkët.

Jeta jonë studentore, kryesisht, shkonte sipas orarit të përpiluar nga ne të dy: zgjoheshim rreth orës tetë, dilnim në byrektore dhe hanim nga një byrek, ktheheshim në banesë e i merrnim fletoret e shënimeve dhe turr e në ligjërata.

Në mesditë shkonim për të ngrënë bukë në mensën e studentëve, pasdite mësonim, kurse në mbrëmje dilnim kah “Santeja”. Pra, ishim të rregullt aty ku bëhej tollovia rinore dhe, natyrisht, ia dolëm që brenda një kohe të shkurtër të krijonim një rreth të madh shoqëror me femra.

E kishim një të metë: nuk na rrihej me meshkuj dhe as që njihnim dikë prej tyre. Shumë shpejt njohëm vajza nga rrethe të ndryshme të Kosovës, sidomos ato që takonim në ligjërata, por edhe në oborre fakultetesh të tjera.

Ishim mjaft komunikativ me femra dhe dinim sesi duhej lënë përshtypjet e para femrave, kështu që pas disa ditësh në derën e banesës sonë zunë të trokitnin disa nga ato vajza, sepse edhe ne shkonim te to, por më rrallë.

E rëndësishme në këtë mes ishte se ne asnjëherë nuk e xhelozonim njëri-tjetrin, ndoshta as atëherë kur njëra nga shumë “shoqet” tona binte në dashuri me ndonjërin prej nesh. Na kishin zili femrat sesi e respektonim shoku-shokun, ndonëse disa syresh tentonin herë-herë qëllimisht të na përçanin, por pa sukses, sepse ne e respektonim njëri-tjetrin në çdo kohë.

Lehtësia më e madhe për ne qëndronte në faktin se ne ia dinim “hujet” njëri-tjetrit, kështu që dinim të qëllonim aty ku dhemb në momentin e duhur.

Për fatin tonë të mirë dhe për çudinë e shumëkujt, në provime ishim të parët e të mirëve, sepse kur na mësohej na mësohej dhe kur donim dashuri, u binim numrave të telefonit ose gjëja më e mirë ishte kur papritur zilja e derës sonë cingëronte.

Blerimi nuk ia këqyrte bukurinë, por vetëm a është femër!
Cimeri, shoku im i ngushtë, Blerimi, kishte një dobësi, të cilën unë e këshilloja ta përmirësonte: kur binte në dashuri të re, bëhej si i trullosur. Nuk i hahej, nuk i pihej, nuk i flihej dhe nuk i lexohej.

Shpesh kur flisnim për martesë më thoshte: “Kur e dua dikë, edhe prostitutë po të jetë, unë do e marr për grua”.

Këtu e kundërshtoja, edhe pse nganjëherë më dukej se ai po tallej me mua, sepse e njihja se herë pas herë ndryshe fliste e ndryshe vepronte. Ai kishte femra më shumë se unë, sepse edhe ishte më tërheqës se unë, por jo vetëm kjo ishte karakteristikë pozitive e tij: xhepat i kishte më të mbushur se unë.

Një “Golf 3” vëllezërit e tij, të punësuar në Zvicër, ia kishin blerë shkaku i suksesit të treguar në provime dhe, natyrisht, vishej më bukur se unë.

Femrat që i ulte në tavolinë për herë të parë për t’u njohur, i bënte për vete menjëherë, ndërkaq brenda javësh arrinte t’i mbyllte në banesë. Ishim marrë vesh se, meqë banesa jonë kishte një dhomë të vetme me kuzhinë dhe banjë, atij që i vinte femra, tjetri duhej të dilte jashtë.

Mirëpo, një ditë, kur pothuajse na erdhën në të njëjtën kohë të dashurat tona, u zumë keq. Ai dëshironte të dilte me të dashurën e vet jashtë për t’ma mundësuar mua të rrija brenda, por unë nuk isha dakord me të. E luta që ai të rrinte, sepse Vegimja, e dashura e tij, kishte ardhur e para.

Por, ai nuk dëshironte në asnjë mënyrë, atëherë vendosëm të shkonim në Gërmi, në shëtitje. Ashtu edhe bëmë: hipëm në veturën e Blerimit unë dhe Teuta prapa, kurse ata të dy përpara.

Ishte e para herë që na kishte ndodhur të dashurat tona të na vinin pa paralajmërim, ndonëse ato kurrë më parë nuk e kishin njohur njëra-tjetrën.

Çdo femër që ai ka pasur ishte më bukuroshe se tjetra, por krahas tij, normalisht, më binin në dorë edhe mua vajza të bukura. Në shumicën e rasteve, femrat që unë i kam pasur, i kisha njohur përmes tij ose nëpërmjet të dashurave të tij.

Femrat që i linte im shok i merrja unë
Gëzohesha shumë kur im shok e linte një femër “të vjetër” dhe e zinte një “të re”, ngaqë atëherë e dija se edhe për mua “dilte” diçka.

“Vetëm tregomë cila po të pëlqen ty dhe ti flejë zbathur!”, më thoshte.

Kishte raste kur nuk i zija besë, por në ditën tjetër më bënte të ditur se duhej të vishesha mirë dhe të isha në formë nëse dëshiroja femrën që e kisha pikasur.

Gjithmonë më mësonte se në fillim, patjetër, duhej gënjyer femrën, shembull, duke mos ia treguar adresën e saktë të vendlindjes, duhej premtuar lidhje serioze dhe, po ashtu, duhej të zmadhoheshin gjërat që kanë të bëjnë me ty derisa vajza të bie në grackë.

“Kurrë mos u turpëro përpara femrave!”, më përsërite ai nëse doja që, vërtet, të isha një Kazanovë.

E dija se ai kishte përvojë të madhe me femra, meqë kishte pasur një numër të konsiderueshëm sosh, por habitesha sesi me asnjërën prej tyre nuk i kishte dalë edhe një problem i vogël, siç ndodhte me mua.

Im shok diplomoi, unë mbeta ende në fakultet
Erdhi një kohë kur unë po ngecja në provimet e fundit, ndërkaq Blerimi diplomoi në afat rekord. Tërë ngecja ime konsistonte në faktin se tashmë po ia kaloja Blerimit me “dashuriçka”, të cilat shumë më pengonin në procesin e studimeve.

Dhe, qëkur ai u kthye në vendlindje pas diplomimit, unë qëndrova edhe një vit në Prishtinë, pa u takuar asnjëherë me shokun tim, por duke njohur edhe tri a katër femra të tjera.

Pas nja dy vitesh, kur po hyja në shtëpi, më tregojnë se Blerimi më kishte thirr në telefon për të parën herë dhe më kishte ftuar në dasmën e tij.

M’u duk diçka e pabesueshme dhe, në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë inatosesha që nuk më ishte lajmëruar asnjëherë dhe as që e kishte dertuar me mua ndonjë brengë të fatit të tij.

Pavarësisht nga kjo, të dielën në mëngjes ia mora veturën babait dhe u nisa për në dasmën e tij, pa ditur se me kë do martohej shoku im, ish-cimeri im, me të cilin dikur ndanim bashkërisht të mirat dhe të këqijat e jetës.

U ula në një kënd të odës së madhe me burra e të rinj, derisa po përtypja llokumet e para dhe pastaj çaj dhe drekën e mirë. E pyeta një djalë që shërbente se nga e kishte nusen shoku im më i ngushtë.

“Nusja është nga Prishtina”.
“Si e ka emrin?”, u interesova.
Djaloshi më tha: “Luljetë”.

Mendova se a kishte pasur një të dashur me një emër të tillë, por sakaq e dija se vetëm njëra prej dashnoreve të mia e kishte emrin Luljetë dhe ishte nga Prishtina.

Mbeta i hutuar!
Megjithatë, tmerri i asaj dite nuk mund të përshkruhet me fjalë, sepse ai tmerr mund të ketë edhe një kuptim tejet më të madh për mua, në radhë të parë për shokun tim të ngushtë.

Nuk mund ta fshihja gjithë atë tronditje pa përmasë, që tashmë ishte bërë realitet: shoku im i ngushtë martohej pikërisht me një femër të cilën unë kushedi sa herë e kisha pasur në shtrat!

Nuk doja në asnjë mënyrë të besoja se dasma e shokut tim ishte e vërtetë, por një ëndërr. Mirëpo, nusen e veshur me të bardha, që ishte ish-e dashura ime, tashmë po e ndihmonte të zbriste nga vetura e zbukuruar me lule shumëngjyrëshe dhëndri, e që ishte shoku im i ngushtë.
Nusja, vërtet, dukej bukur, andaj të gjithëve u qeshte fytyra nga gëzimi, madje edhe shokut tim të ngushtë, por askujt nuk i shkonte mendja se në mesin e tyre ishte ish-dashnori i saj.

Por, as sot e asaj dite, edhe pse kanë kaluar do vite, ende nuk e di si dhe qysh u njohën ata ndërmjet veti… B. Bajrami /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË