Thirrje të shumta për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit kanë ardhur vazhdimisht nga Gjermania e kancelares gjermane Angela Merkel.

I zëshëm fillimisht kishte qenë ambasadori Christian Heldt në Prishtinë, më pas me të njëjtin mision në Prishtinë kishin zbarkuar dy deputetët, Peter Beyer e Christian Schmidt, e tash së fundi formimin e qeverisë së Kosovës dhe respektimin e vullnetit të votuesve e kërkojnë edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Në një përgjigje për Gazetën Express nga kjo ministri thonë se Kosova qëndron lartë në listën e prioriteteve të Gjermanisë dhe si pasojë e kësaj Berlini zyrtar kërkon që në Kosovë të themelohen institucionet e reja gjithmonë duke marrë parasysh vullnetin e qytetarëve.

“Kosova mbetet një prioritet i lartë në agjendën e politikës së jashtme të Gjermanisë, edhe në Bashkimin Evropian, edhe në marrëdhëniet dypalëshe. Gjermania i inkurajon fuqishëm partitë fituese të zgjedhjeve të vitit 2019 që ta formojnë qeverinë e re, duke e marrë parasysh vullnetin e popullit të Kosovës dhe rrjedhimisht përmbushjen e këtij vullneti”, ka thënë një burim zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Krijimin e qeverisë e ndërlidhin edhe me nevojën e vazhdimit të reformave për sundim të ligjit e luftën kundër korrupsionit.

“Kjo çështje bëhet edhe më e rëndësishme për shkak të procesit të vazhdueshëm të reformave të brendshme, të përqendruara në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe reformës administrative në vend”, ka potencuar tutje ky zyrtar gjerman.

Krijimin e institucioneve të reja nga MPJ-ja gjermane e shohin si një proces i cili duhet të burojë si rezultat i përpjekjeve të aktorëve vendorë

“Ne jemi të bindur që procesi i formimit të qeverisë së re duhet të udhëhiqet nga aktorët vendorë. Institucionet e fuqishme vendore mund t’iu ofrojnë qytetarëve të Kosovës shërbime shumë të nevojshme dhe t’i krijojnë kushtet e duhura për rritje dhe mirëqenie”, ka theksuar tutje ky zyrtar gjerman.

Një prej çështjeve për të cilën qeveria e re është e nevojshme të krijohet është edhe liberalizimi i vizave. Nga MPJ-ja gjermane thonë se për t’i vënë në agjendën e BE-së dhe shteteve anëtare prioritetet e Kosovës atëherë duhet krijuar qeverinë e re.

“Për t’i çuar përpara prioritetet e Kosovës në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve anëtarë të BE-së – siç është liberalizimi i vizave me BE-në – Kosova duhet ta formojë qeverinë e re’, ka thënë ky burim zyrtar gjerman brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në fund si një prej problemeve që po e pengon Kosovën drejt zhvillimit dhe integrimit në BE është edhe problemi i pazgjidhur me Serbinë. Nga Berlini zyrtar thonë që rikthimi në negociata është jetik me qëllim të arritjes së një marrëveshje finale që i kontribuon stabilitetit të rajonit.

“Në nivelin rajonal, marrëdhëniet me Serbinë vazhdojnë të paraqesin një pengesë të madhe për Kosovën drejt shfrytëzimit të potencialit të plotë. Është jetike të rifillohet me negociata substanciale me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e cila gjithashtu kontribuon në stabilitetin e rajonit.”, ka përfunduar ky burim zyrtar brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë janë mbajtur pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryetarit të qeverisë. Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kishin filluar punën intensive për bashkërendimin e programit për qeverisje. Zyrtarë nga dy partitë ishin optimist se koalicioni e qeveria e re do të bëheshin shumë shpejtë. Megjithatë kur kanë kaluar edhe më shumë se 3 muaj nga zgjedhjet e fundit, Kosova mbetet pa institucione. Albin Kurti e Isa Mustafa vazhdojnë të mos gjejnë një formulë të përbashkët drejt koalicionit, meqenëse asnjëra prej partive nuk ka mirëkuptim për kërkesat e partisë tjetër. Edhe përkundër këtyre vonesave tashmë situata nuk mund të shkojë në pafundësi.

Pas shumë insistimeve të presidentit të Kosovës për të mos humbur kohë, Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në presidencë emrin e Kurtit si mandatar për kryeministër. Njëjtë sikurse në seancën e 26 dhjetorit, një vendim të tillë VV e ka marrë pa një marrëveshje me LDK’në, e për të cilën ka në dispozicion edhe dy javë.

Gjatë gjithë kësaj kohe vonesash thirrjet për krijimin sa më të shpejtë të qeverisë kanë qenë të shumta. Përveç Gjermanisë, një gjë të tillë e kërkon edhe SHBA’ja dhe Britania e Madhe.

MUND TË JU PËLQEJNË