Edhe e shtuna me mot të ngrohtë. Nga dita e diel rënie e theksuar e temperaturave. Në javën e parë të pranverës rikthehet moti dimëror, me mundësi edhe për reshje bore

Moti pranveror që po mbanë sot në fillimin e stinës së pranverës do të mbretërojë edhe ditën e nesërme. Mirëpo nga dita e diel dhe javën e parë të pranverës një ciklon polar nga verilindja e kontinentit do të depërtojë mbi rajon që pritet të rikthejë motin dimëror, bën të ditur Prishtina Weather.

Shërbimi i meteorologjisë njofton se “temperaturat do të pësojnë rënie të theksuar, e do të zbresin në vlera negative. Nga dita e hënë priten mundësi për reshje bore edhe përgjatë viseve të ulëta, si dhe pritet formim edhe i shtresave me dëborë. Nga dita e martë temperaturat maksimale do të shënojnë rritje graduale, por se mbeten nën vlera mesatare për këtë periudhë kohore”.

Sipas PW, “situata sinoptike që parashihet të jetë më dinamike këto ditë, me qarkullim edhe të mjaftueshëm ajror do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, e vlerat do të zbresin edhe në të mira. Vetëm orëve të mbrëmjes kohë pas kohe mund të kalojnë në vlera të pashëndetshme”.

Parashikimi për periudhën 21-25 mars:

21.03 – Kryesisht me diell dhe ngrohtë. Në mbrëmje pjesërisht vranët.

22.03 – Më ftohtë, kryesisht vranët dhe me erë. Në mbrëmje priten reshje të dobëta shiu, që më vonë do të shndërrohen në borë..

23.03 – Ftohtë, kryesisht vranët dhe me erë. Herë pas here me reshje të dobëta bore.

24.03 – Kryesisht vranët dhe ftohtë. Kohë pas kohe me reshje të dobëta bore, e gjatë ditës të përziera edhe me shi.

25.03 – Kryesisht me vranësira. Në mëngjes reshje të dobëta bore dhe shiu, e gjatë ditës herë pas here me reshje të dobëta shiu.

Temperaturat do të pësojnë rënie të theksuar nën vlera mesatare. Minimalet do të zbresin nga 4C deri në -3C, e maksimalet nga 21C, të shtunën, deri në 1C ditën e hënë. Nga dita e martë maksimalet do të shënojnë rritje graduale, e të mërkurën do të arrijnë në 7C.

Të shtunën do të fryjë erë mesatare jugperëndimore 5-9m/s, e prej ditës së diel erë mesatarisht e fuqishme nga verilindja 6-12m/s.

Shtypja atmosferike do të zbresë përreth vlerave normale, e nga dita e hënë do të shënojë rritje.

MUND TË JU PËLQEJNË