Nuk është befasues lajmi se VV dhe LDK-ja mund të shkojnë në zgjedhje të reja pa një marrëveshje para koalicioni, shkruan “Kosovarja”.

Befasues, madje, nuk është as lajmi se LDK-ja nuk merret vesh për propozim të kryeministrit as nga radhët e veta!

Mosardhja e Lutfi Hazirit dhe Agim Veliut në Kryesi të LDK-së për të nominuar Vjosa Osmanin për kryeministre nga kjo parti, është hapi i dytë drejt krizës partiake.

Hapi i parë drejt krizës në këtë parti ishte rizgjedhja e Isa Mustafës në krye të partisë, që llogaritet se ai u zgjodh kryetar pasi partia ishte në rrugë pa dalje!

Situatë pa zgjidhje duket edhe ndërmjet LDK-së dhe VV-së, që kanë investuar shumë për të ardhur deri në zgjedhjet e reja.

Ajo që po i ndanë këto dy parti nga marrëveshja e mundshme, është posti i kryeministrit.

“Vetëvendosja” e do kryeministrin nga radhët e veta, ashtu sikur edhe LDK-ja, e që po e vështirëson mundësinë edhe për koalicion paszgjedhor.

Andaj, duke mos u marrë vesh LDK-ja me VV-në për koalicion parazgjedhor, favorizohet, si zakonisht, PDK-ja, të cilën nuk kanë mundur ta dërgojnë në opozitë as në zgjedhjet e kaluara!

LDK dhe VV e dinë batutën e famshme se çka ndodhë kur përlahen dy vetë, kurse i treti i shikon…

Koalicioni parazgjedhor NISMA-AKR dhe AAK-PSD, deri këtu mund të përfundojnë në dorën e Hashim Thaçit.

Kështu, me një këso situate të krijuar në spektrin politik të Kosovës, ajo që tha Xhavit Haliti se PDK-ja do befasojë në këto zgjedhje, është për ta besuar.
Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË