Familja Fera nga Karaçeva e Poshtme e Kamenicës sot kanë përjetuar tmerrin në Spitalin e Gjilanit, përkatësisht në repartin e Gjinekologjisë.

Familjarët i kanë thënë lajmi.net, se familjarja e tyre A. Fera (emër i njohur për redaksinë), gjatë ditës së sotme ka shkuar për të lindur në këtë spital mirëpo, mjekët i kishin tmerruar duke i thënë se foshnja i ka vdekur, por që pas rreth gjysmë ore A.Fera ka sjellë në jetë një foshnje të gjinisë femërore.

Para se të ndodhë kjo, mjekët e spitalit i kishin thënë A.Ferës dhe bashkëshortit të saj që ta thërrasin doktor Tefik Dermakun, mjeku i cili e ka përcjellë shtatzëninë sepse ai më së miri e di gjendjen e pacientes së tij.

Duke e parë këtë situatë, familjarët kanë rrëfyer për lajmi.net, se e kanë thirrur mjekun në fjalë dhe ai i ka fyer ata.

“E kemi thirr doktor Tefik Dermakun masi na thanë mjekët që me e ftu ato sepse ai e din situatën e pacientes. Kur e kemi thirr në telefon Tefikun, ai na ka fy edhe na ka thanë që me lanë rehat e mos me e thirr për këtë punë edhe na ka mbyll telefonin”, ka rrëfyer për lajmi.net ky familjar.

Ky familjar i ka thënë lajmi.net se vetëm kur ata e kanë thirr policinë dhe mediet dhe situata po bëhet serioze, mjekët kanë dalë dhe kanë dalë dhe e kanë konfirmu që foshnja është gjallë.

Ai dyshon se në tërë këtë skenë është e mundshme ndonjë skenar i krimit.

“Jemi tronditur tej mase. Fillimisht na kanë dhënë lajmin si vdekje dhe pas insistimit tonë kur e lajmëruam policinë dhe mediet, ata dolën dhe na thanë që foshnja është gjallë. Prapa gjithë kësaj po fshihet diçka”, ka rrëfyer ky familjar duke mos dashur t’i publikohet emri.

Në anën tjetër, Nistret Hajrullahu, drejtori i Spitalit të Gjilanit ka thënë per lajmi.net se krejt kjo ishte një keqkuptim mes familjarëve dhe stafit mjekësor.

Ai ka thënë se gjendja e nënës dhe fëmijës për momentin është stabile, ndërsa me rastin është marr edhe policia.

“Si ka mundur të neglizhohet rasti kur fëmija është gjallë edhe është në gjendje stabile ashtu si nëna. Familjarët mund t’i kenë pakënaqësitë e tyre, por nuk do të thotë se është neglizhu rasti. Motrat e kanë përcjell lindjen e kanë kry ashtu si duhet, kanë dhënë gjithçka që ka qenë e mundur. Ka ndodhur një keqinformim, dikush i ka informu se fëmija i ka vdekë edhe ata kanë fillu me vandalizëm më i shkatërrua xhama e kanë sulmu edhe stafin mjekësor. Me rastin është marr policia të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes”, ka thënë drejtori Hajrullahu.

Policia ka intervistuar të gjitha palët e përfshira.

MUND TË JU PËLQEJNË