Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë vendim që të anulojë provimin për noterët e rinj.

Ministrja Haxhiu tha se nuk mund të shtyjë përpara një proces që nuk ka pasur as ligjshmëri as transparencë e as objektivitet.

“Nuk mund të shtyjë përpara një proces i cili është duke u hetuar edhe nga Prokuroria. Sot marr vendim që pas konsultimeve që kam bërë me kabinetin tim dhe departamentet përkatëse brenda MD-së, kam vendosur që të anulojë procesin apo provimin për noterët e shpallur më 19 prill 2019 dhe pika e dytë e këtij vendimi është që të gjitha pagesat të cilat tashmë janë bërë nga kandidatët që i janë nënshtruar provimit të noterisë, do të kthehen. Kjo për faktin se ka pasur shumë shqetësime nga kandidatët që i janë nënshtruar këtij provimi, që e kanë paguar një shumë të parave.”, deklaroi Haxhiu, raporton Indeksonline.

Çështje e cila ka ngjallur shumë reagime, procesi për organizmin e provimit të noterisë nga Ministria e Drejtësisë.

“Sipas legjislacionit në fuqi, provimi i noterisë organizohet mbahet dhe përfundon duke pasur për bazë parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe objektivitetin, me qëllim që të garantohet një proces i drejtë.Në anën tjetër i njëjti proces, nuk ka pasur as ligjshmëri, as transparencë as objektivitet. Në këtë drejtim unë si ministre e Drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara një proces të kompromentuar.Unë si ministre e Drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara një proces që është përcjellë me parregullsi dhe me humbje të besimit.Nuk mund të shtyjë përpara një proces nga i cili shumica dërmuese e kandidatëve të cilët kanë kaluar provimin e noterisë janë militantë të partive, idhtarë, apo miq të anëtarëve të komisionit të provimit të noterisë, apo edhe familjarë të tyre.Nuk mund të shtyjë përpara një proces për të cilin kemi pasur edhe deklarata të përfaqësuesve të shteteve që janë me rëndësi për Kosovën, siç është deklarata e ambasadorit gjerman, që këta noterë nuk mund të njihen jashtë Kosovës”, tha Haxhiu.

Tutje ministrja Haxhiu tha se nuk mund të shtyjë përpara këtë për sa kohë ka kërkesa të vazhdueshme të organizatave e shoqërive civile që provimi i noterisë të kthehet në pikën zero.

“Nuk mund të shtyjë përpara një proces i cili tashmë është duke u e hetuar nga Prokuroria. Padyshim se konkursi i provimit të noterisë do të shpallet sapo t’i përfundojmë proceset, por nuk do të lejojmë monopol në noteri. Kemi shfuqizuar edhe vendimin për emërimin e komisionit të noterëve. Anëtarët që janë zgjedhur nga ministri i kaluar kanë mandat tri vjet, ne e kemi shfuqizuar atë vendim si dhe vendimin numër 16. Procese të tilla që kanë ndodhur në të kaluarën, asnjëherë nuk do të ndodhin”, tha ajo.

MUND TË JU PËLQEJNË