Dega e Alternativës në Prishtinë njofton se ka ndërprerë zyrtarisht çdo bashkëpunim me partinë Alternativa për shkak të siç thonë ata, veprimeve autoritare të kryetares së kësaj partie Mimoza Kusari –Lila.

“Alternativa, e cila, ndonëse do të duhej të ishte sinonim i promovimit të frymës së liberal-demokracisë, falë veprimeve pas shpine, e shpeshherë edhe autoritare të kryetares Kusari-Lila dhe një grupi të ngushtë përreth saj, ndikoi në përçarjen e pariparueshme të partisë”, thuhet në njoftimin e degës së Alternativës në Prishtinë.

Dega e Alternativës në Prishtinë, thekson se duke i mbetur besnike parimeve të liberal-demokracisë dhe shtyrjes përpara të interesave publike, bëri gjithçka në fuqinë e saj për të ruajtur idenë mbi të cilën edhe ishte themeluar si projekt politik.

“Mirëpo, ky synim i kësaj dege, dhe i një pjese të konsiderueshme të degëve dhe anëtarësisë së Alternativës në nivel vendi, u anashkalua paturpësisht nga kryetarja Kusari-Lila dhe grupi i saj, për të çuar përpara projekte dhe ide me leverdi personale e grupore, duke anashkaluar apo nëpërkëmbur kështu të gjitha organet kryesore partiake”, thekson tashmë ish-dega e Alternativës në Prishtinë.

“Ne, si Alternativë e Prishtinës, nuk kemi qenë dhe as nuk do të jemi asnjëherë pjesë e lojërave të tilla. Së këndejmi, për hir të të së vërtetës, dhe përgjegjësisë që kemi ndaj atyre që na besuan dhe na besojnë ende, njoftojmë opinionin e gjerë publik se, nga sot e tutje e ndërpresim edhe zyrtarisht çfarëdo formë të të bashkëpunimit dhe komunikimit me Alternativën, si parti”, thuhet në fund të komunikatës së ish degës së Alternativës në Prishtinë.

MUND TË JU PËLQEJNË