Dikur ishte gjëja më e zakonshme kur bëhej fjalë për bashkimin e çifteve, si dhe martesat e djemve e vajzave.

Por sot, dukuria e mësitnisë është shumë më pak e shprehur nëse bëjmë krahasime me vitet e shkuara. Kjo po ndodh si pasojë e kohëve moderne, thotë Enver Dajaku nga Skenderaj, ndryshe i njohur si “Mësiti popullor”.

Derisa numëron qindra çifte, të cilët i ka bashkuar deri tash, ai thotë se zhvillimi i teknologjisë ka bërë që edhe mënyra e mësitnimit të ndryshojë. “Me bukë kallamboqi me kos, e me më pak para, kohërat e mëparshme kanë qenë më me bereqet”, rrëfen Dajaku.

Përveçqë rrjetet sociale i sheh si shkas i rënies së punës së tij, Dajaku thotë se “Facebook”-u po çon, po ashtu, edhe deri te ndarja e shumë çifteve.

Ndërsa, edhe për ta gjetur fatin e jetës me ndihmën e mësitit popullor duhet të kryhet një procedurë.

Sipas tij, kërkesat e vajzave shqiptare janë kryesisht që të gjejnë partnerë në shtete perëndimore, duke ua bërë më të vështirë djemve që jetojnë këtu.

Ndonëse konsideron që puna ka rënë dukshëm, thirrjet në telefonin e Enver Dajakut nuk kishin të ndalur gjatë kohës sa po qëndronim aty. Telefonatat janë nga të gjitha vendet ku ka shqiptarë. Mosha e atyre që kanë kërkesa nga ai, varion kryesisht nga 20 deri në 30 vjeç.

Ndryshe, Mësiti popullor nga Skenderaj, tregoi se bashkëpunon edhe me mësitët e tjerë nga qytete të Kosovës e Shqipërisë, e traditën e mësitnisë shpreson ta trashëgojë edhe te gjeneratat e ardhshme./Express/

MUND TË JU PËLQEJNË