E shihja se po përzihej diçka në shtëpi, teksa këndohej kënga “Po përzihet Prizereni”. U shtriva në shtrat me kokë të rënduar dhe mu bë se e rrëzova shtratin për parketi. Dhe, i tretur në mendime, dëshiroja të isha i pari në notin që po mbahej mbi Urën e Drinit, shkruan “Kosovarja”.

Më përcillnin kamerat, duke pritur fundin e suksesit. Nuk më kishte rënë të shihja diçka të tillë. Diku do t’i diel tymi kësaj pune, mendoja me vete, sepse dola i pari në notin e kësaj gare!

Telefonata e dashurisë
U ngrita dhe, me të dalë nga dera e shtëpisë, një telefonatë dashurie. U ndryshua dita. Ishte vranët dhe doli dielli! Ishte telefonatë që kërkonte lidhje.

Pas pak edhe një mesazh i fortë në telefon. Them me vete, kjo qenka çmendur nga dashuria. Nuk paskam lexuar mesazh më të nxehtë se ky që nga koha kur i lexoja poezitë e Zef Serembes.

Do ta ruaj për kujtim këtë mesazh dhe nuk do e fshij kurrë! Ja vlen të kem diçka të bukur nga dikush që nuk e njihja se kush ishte…

Sillem dhe pështillem dhe e harrova punën e mesazhit, pa menduar se armiku i shtëpisë rri zgjuar dhe nuk fle kur janë në pyetje mesazhet.

Hy në shtëpi dhe shtrihem në shtrat. Dhe, teksa më kujtohet mesazhi kur, ja, më vjen edhe një tjetër, po nga i njëjti numër. Gruaja me shpejtësi ma merr telefonin nga dora, e lexon mesazhin dhe ma përplas telefonin në prehër.

I trembur, i them: “Pse e gjuan telefonin tim, çka dreqin je kah bën?!”.

“Telefonin po ta fluturojnë dashuritë tua dhe ky telefon ka për t’u shndërruar një ditë edhe në aeroplan bombardues të NATO-s!”, ma ktheu me shpejtësi ajo.

Si më zuri sherri, them me vete. Do bëhet kiameti, si te fqinjët tanë çdo ditë…

Pas pak ofrohet dhe më thotë: “Betohu se nuk ke asgjë me atë femër!”.

Oh, Zot, për çka të betohem! T’i jap llogari gruas për dikë që më ka shkruar pa lidhje, e solla në mendje.

“S’kam haber se kush është ajo!”, i thashë, sa për ta përmbyllur këtë temë.

“E zbuloj unë, rri ti pa merak!”, ma kthen ajo.
“Kur ta zbulosh kush është, më thirr ta rrahim së bashku!”, i them me shpoti.

Këto fjalë e qetësojnë paksa gruan time, e cila me një butësi të pa përshkuar afrohet pranë meje dhe më thotë:

“Vërtet, nuk e njeh kush është ajo?!”.
“Jo, moj grua, nuk kam haber se kush është. Nuk kam kurrfarë lidhje me të, prandaj nuk kam çka të të tregoj”, i them.

Heu dreq, ja edhe mesazhi tjetër!
Ndërkohë, arrin edhe një mesazh, ku autorja flet për gjërat më të bukura që i paskemi përjetuar bashkë, kinse në filan motelin…

E, për t’u treguar burrë para gruas, i them që ta lexoj edhe mesazhin e ri që sapo erdhi në telefonin tim.

“Ti po m’i jep t’i lexoj përjetimet tua me atë lavire, a?!”, ma ktheu me ironi.

Dhe, acarohet situata edhe më shumë. Më bëhet sikur së shpejti do të fillojë edhe lufta e tretë botërore…

E lë anash telefonin dhe e marr gazetën. Lexoj se Rusia po përgatitet ta marrë nën kontroll Ballkanin.

Jo, nuk paska luftë aty ku përzihet Rusia, e solla në vete. Luftë mund të ketë aty ku përzihet gruaja ime! Ajo po t’i kishte nën kontroll raketat e Koresë së Veriut do ta kallte dynjanë pa kurrfarë dyshimi…

Pas pak edhe një mesazh.
Asnjëri nuk e hapim…
Më në fund, e bëj zemrën gur dhe i them:
“Më llugë nuk ka ku të shkoj, merre dhe lexoje edhe këtë mesazh!”.

Ajo e hapë, e lexon dhe thotë:
“Shihe-shihe! Tash kërkon falje, paska shkruar gabim!”.
Pas pak vjen një zile po nga i njëjti numër…

Gruaja përgjigjet në telefonin tim. E dëgjoj se ajo i kërkon falje për shqetësimin që na e ka bërë. Por, ime grua nuk ia falë dot pa e takuar dhe pirë nga një kafe me të…

Dhe, të nesërmen, pasi ishin takuar e pirë kafe bashkë, të dyja vijnë te unë në Redaksi.

“Kjo është ajo me të cilën ke qenë në motel!”, më thotë gruaja.

“Qenka e bukur dhe, po të ishte e vërtetë, do e vlente!”, ia kthej unë.

Në fund, më del gjumi dhe them me vete: Shyqyr Zotit që paskam qenë në gjumë, se gati plasi lufta e tretë botërore! Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË