Isha ulur në atë tavolinë të tarracës, ku edhe pimë për herë të fundit kafe bashkë. Gjatë bisedës me mikun, me të cilin ishim ulur, m’u kujtuan fjalët tua të fundit, që po aty m’i kishe thënë dhe m’u duk sikur më kaploi njëfarë nostalgjie, shkruan “Kosovarja”.

Derisa rikujtoja ato momente, pa pritur u shfaqe para syve të mi, kur kalove andej pari për t’u futur në një dyqan të afërm. Nuk të kisha parë një kohë të gjatë, por vërejta se ti fare nuk kishe ndryshuar. Ishe po ajo bukuroshja e dikurshme, po ajo princesha e atëhershme.

Kam mall për të kaluarën
Sa herë ulem aty rikujtoj fjalët tua që m’i kishe thënë dikur, moti, në atë vend, me të cilat ishte vulosur fundi i lidhjes sonë. Gjithmonë në ato momente më kaplon njëfarë nostalgjie, një mall për të kaluarën, për ditët e bukura kur ishim bashkë.

Ajo ishte periudha e artë e jetës sime, e cila u ndryshua shumë prej se ti shkove, por në mua, çuditërisht, përgjithmonë mbeti ndjenja e fortë e dashurisë dhe admirimi për ty.

Sot, pas kaq vitesh, përsëri u pamë po aty. Ti më kishe ardhur prapa shpine, duke ecur rrugës sate, por jam i sigurt se më kishe vërejtur që nga larg. Kur u afrove afër, u bëre se nuk më shihje dhe u fute në dyqanin që ishte pranë, karshi asaj tarrace ku unë qëndroja. I befasuar humba përqendrimin, duke pyetur veten:
“A është e mundur që po e shoh?!”.

Nuk e di a u gëzova apo jo, por hetova se në mua u ndryshua gjendja emocionale dhe se zemra më rrihte fort…

Derisa ti bëje pazar në dyqan, unë vazhdoja të bëja muhabet me mikun, me të cilin ishim duke pirë kafe, e nga i cili fshehja shqetësimin tim, ani pse bota ime e brendshme ishte trazuar.
Ato çaste m’u kujtua një moment interesant i së kaluarës, kur ne ishim në shkëputje e sipër të lidhjes sonë. Atëbotë, në bisedë e sipër, pas një reagimi spontan që kisha, e që shprehte një dozë xhelozie, më pate thënë: “Hë, unë ende qenkam pikë e dobët për ty!”.

Pas kaq vitesh, sot, përsëri e vërejta se ti, vërtet, ende vazhdon të jesh pikë e dobët për mua…

Të humba përgjithmonë
Ti bukur shumë u vonove në dyqanin ku kishe hyrë. Nuk e kam idenë se çka ke mundur të blesh, por gjatë gjithë kohës sa qëndrove aty, sytë e mi nuk u shkëputen nga dera e atij dyqani ku ishe. Duke pritur momentin e daljes tënde, në një çast, vërejta se nga brendia e dyqanit i kishe drejtuar sytë kah unë, shkruan “Kosovarja”.

Atëherë, në gjoksin tim, ndjeva një rrahje aritmike të zemrës, e cila rrihte fort… Nuk di pse m’u ndezë flakë zemra për ty, por e di se fajtori për ndarjen tonë isha unë. Unë isha cikërrimtari grindavec që bezdisja jetën tënde, pa pasur mirëkuptimin e duhur për ty, duke shprehur xhelozinë e panevojshme vend e pavend.

Unë isha ai që dikur kisha pushtuar zemrën tënde, por që dalëngadalë dola nga ajo zemër për shkak të arrogancës sime. Më pastaj, gabim pas gabimi, në stilin: “Çka t’i bësh dikujt ta bën tjetri”, t’i bëra një mijë të pamira, duke lënduar shumë herë zemrën tënde.

E, atëherë, kur mbeta pa ty, e kuptova peshën e fajeve të mia, nga pasojat e të cilave mbeta i vetmuar, me gishta në gojë, kur të humba përgjithmonë… P. Kalaja /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË