As punoi e as u martua kurrë. Xhemal Halili, nga fshati malor Vlash, tërë jetën mbet beqar! Kur ishte i ri dhe kërkonte nuse, Xhemali nuk kishte një strehë ku ta çonte. Kur u moshua dhe fshati i ndërtoi një banesë me kontribut vullnetar, atëherë nuk i pëlqente më të martohej, sepse sugjerimet për bashkëshorten i vinin nga Partia, ndërsa Xhemali ëndërronte për një bukuroshe të huaj, ashtu siç e kishte parë njëherë në një film… A është penduar pse nuk u martua?

Si është jeta në të 90-at?
– Nuk është më jetë, por kalim kohe.

E, si e kalon Xhemali kohën?
– Duke vizituar miqtë. Duke fjetur. Duke menduar për vitet që shkuan dhe nuk kthehen më…

Çfarë do të kishe bërë ndonjë gjë në të kaluarën, që nuk e ke bërë dot?
– Të martohesha dhe të kisha një familje, që sot të mos isha vetëm.

Pse nuk u martove?
– Unë mbeta jetim që i vogël dhe nuk kisha shtëpi. Rrija me të afërm. Kur isha i ri dhe doja të martohesha, tërhiqesha se më vinte keq për nusen që do merrja: Ku do ta çoja? Ku do të flinte? Ku do të rrinin, të hanim? Nuk kisha shtëpi. Nuk kisha punë. Nuk kisha asgjë.

Po punë, pse nuk kishit?
– Se kisha vetëm pak klasë shkollë dhe asnjë profesion.

Po, në kooperativë apo punë të tjera krahu, nuk bënit dot?
– Nuk më pëlqenin këto lloj punësh. Isha në kooperativë dhe janë bërë gjithë ato mbledhje partie, pse nuk shkoja të punoja. Të them të drejtën, isha edhe pak mendjemadh, por edhe dembel nga natyra. Nuk më punohej në kooperativë.

Po, si arrije të mbijetoje pa punë, por edhe pa telashe, sepse në sistemin komunist njerëzit që nuk punonin, ndëshkoheshin?
– Bëja një jetë të bukur pa punë. Vërtet, isha i varfër, por jetën e bëja tamam si beqar. Dilja, shëtitja, shkoja nëpër sebepe te familjet që kishin lindje, fejesa, martesa etj. Vera ishte stina më e mirë për mua, se gati çdo të enjte dhe të diel kishte dasma në zonë dhe shkoja për urime. Në dimër, zakonisht, shkoja për kuvende me burrat nëpër “shtëpitë e oxhaqeve”, ku pihej kafe turke dhe muhabeti vazhdonte deri në mëngjes.

Po, për të punuar, a nuk kishit probleme me organizatën bazë të partisë, që vepronte në çdo fshat?
– Kisha, si nuk kisha! Por, brigadierët ishin të mirë, nuk më spiunonin. Duke qenë se përgjithësisht kooperativat ishin me gra dhe unë isha beqar, ndiheshin më të qetë që unë si burrë të mos shkoja në punë.

Pse, i ngacmonit gratë e kooperativës ju?
– Jo, ato ishin gratë, bijat apo motrat e shokëve të mi, të miqve, të bashkëfshatarëve. Por, ishte më mirë të mos punoja mes grave, që gjithsesi çdokush të rrinte pa merak.

Po, nëse do të kishit punuar, mbase do të kishit ndërtuar edhe ju një shtëpi dhe të martoheshit si ata?
– Shtëpinë ma ndërtoi fshati me kontribut vullnetar, por atëherë ishte vonë dhe nuk doja të martohesha më.

Pse nuk dëshironit të martoheshit më?
– Sepse kishin kaluar vitet, unë nuk isha më i ri. Ndërkaq, nuset që më sugjeronin ishin nga ato të partisë. Unë nuk doja nuse partie, apo që nusen të ma sugjeronte partia.

Po çfarë doje?
– Të them të drejtën, doja një nuse të huaj. Kisha parë njëherë një film dhe më mbeti në mendje një femër shumë e bukur…

Cila ishte ajo?
– Eh, po ku ia di emrin unë?! Ishte femër e huaj ajo.

Po, ndonjë nuse vendi?
– Po, kisha frikë se duke qenë se refuzoja nuset e partisë, mos më fusnin në burg nëse merrja ndonjë tjetër që do më pëlqente vetë. Kështu që i rashë shkurt dhe nuk u martova fare.

A je penduar që nuk u martove?
– Po, jam penduar, sepse sot që mezi lëviz, nuk do të isha vetëm në shtëpi, do të kisha se me kë të bisedoja.

Gjithsesi, ndonjë të dashur e ke pasur apo jo?
– Epo, është një shprehje që e përdor sa herë më kritikojnë pse nuk kam punuar…

Cila është ajo?
– Kau (demi) që përdoret për ndërzim, nuk futet në hulli! Elisabeta Ilnica

MUND TË JU PËLQEJNË