Kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk e ka zbuluar Amerikën, kur i ka dërguar informacion kryeparlamentares, Vjosa Osmani, se e ka gjetur marrëveshjen sekrete të Hashim Thaçit me NATO-n, shkruan “Kosovarja”.

Albin Kurti i jep sihariq Vjosa Osmanit se e ka gjetur marrëveshjen sekrete të Hashim Thaçit me NATO-n, për moszbarkimin e ushtrisë së Kosovës në veriun e vendit për kohë të pacaktuar, apo në variant tjetër, e që mund të ndryshojë me kohë.

Ka qenë plani i Marti Ahtisarit, në të cilin precizohet se Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë në veri ushtri të veten deri në dhjetë vjet nga koha kur bëhet ushtria e saj.

Andaj, Albin Kurti këtë publikim e ka bërë për denigrim të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, duke e nxjerrë në opinion një marrëveshje që e kanë ditur të gjithë ata që e njohin planin e Ahtisarit.

Marrëveshja për mosdërgimin e ushtrisë së Kosovës në veriun e vendit për aq kohë sa është precizuar, është produkt i ekipit kushtetues të misionarit finlandez Ahtisari, të cilin e ka pranuar Kosova, meqë Ahtisari ishte i dërguar special për propozimin e statusit të Kosovës, që do të paraprihej nga një marrëveshje e formës kushtetuese të ekipit të tij.

Andaj, kryeministri aktual, Albin Kurti, është mirë ta realizojë platformën e premtimeve të veta për qeverisje të vendit, duke e kursyer publikun me marrëveshje që janë imponuar po aq sa imponohen edhe sot shumë çështje dhe procese, të cilat po i shijon edhe vetë kryeministri.

Tendenca për ta bërë marrëveshjen sekrete për mosdërgimin e ushtrisë në veriun e vendit spektakël mediatik, Kurti tha edhe vetë se nuk është kundër saj, por kinse vetëm po e njofton kryeparlamentaren Osmani!

Sidoqoftë, do të ishte mirë që marrëveshjet e nënshkruara, e që kanë karakter sekret, të mos publikohen…

Nëse kryeministri aktual do gjente zotësi, që bashkë me NATO-n ta anulojnë atë marrëveshje, duke e zëvendësuar me një marrëveshje që heqë ndalesën për dërgimin e FSK-së në veri, do të ishte një hap më shumë kah ruajtja e sovranitetit territorial të vendit tonë.

Kështu, populli mirëpret çdo marrëveshje të Albin Kurtit që sjell përparim dhe përgjegjësi në forcimin e sovranitetit të shtetit.

Dhe, sido që të jetë, Albin Kurti e ka gjetur një marrëveshje me NATO-n, aleatin tonë besnik, e jo me Rusinë apo Serbinë!

Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s dhe synimi ynë që të jemi një shtet evropian do të sigurohet nga kjo forcë.

Prandaj, spektakli për zbulimin e një marrëveshje sekrete, sipas Kurtit, nuk qëndron. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË