Ministri i sapoemëruar i Ministrisë së Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar anulimin e tenderit për autostradën Banullë-Dheu i Bardhë, me vlerë 110 milionë eurosh, shkruan “Kosovarja”.

Nëse ministri i qeverisë Kurti nuk di shumë për këtë autostradë, duhet ta mësojë se ajo veç është në fazën përfundimtare të punimeve, ku ka mbetur t’i qitet vetëm asfalti.

Janë bërë shpronësimet, janë ndërtuar urat, janë bërë edhe rrugët rrethore që e lidhin me Autostradën “Arbër Xhaferi”. E, ajo çka ka mbetur të bëhet është vetëm shtrimi i asfaltit.

Në rrethana të tilla, të anulohet tenderi për finalizimin e kësaj autostrade, është absurde! Lumir Abdixhiku, konkretisht LDK-ja, edhe sa kanë qenë në opozitë, kanë mundur ta shtrojnë këtë problem në rend dite të qeverisë së kaluar.

Por, ata nuk i kanë bërë as përpjekjet më të vogla ta arsyetojnë anulimin e këtij tenderi për këtë autostradë, për të cilën i kanë pasur 100 fakte.

Para së gjithash, në drejtimin Lipjan-Gjilan, është rruga rajonale Lipjan-Gadime-Gjilan.

Është asfalti ekzistues rrugor, me të gjitha standardet moderne, e që kalon nëpër një luginë piktoreske, e quajtur “Klisyrka”, që përshkon fshatrat Gadime e Epërme, Vrellë, Plitkoviq, Kishnapolë, Sllakoc, Zhegoc dhe del në mes të fshatit Parallovë dhe Bresalc, pra në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

E, nga aty mund të shkohet në cilindo drejtim: qoftë kah Gjilani dhe Kamenica, qoftë kah Prishtina.

Pra, një rrugë që i plotëson të gjitha kushtet për qarkullim normal, e që aktualisht është e pangarkuar.

Kjo rrugë mund të bartë dhe përballojë gjithë nevojën e transportit publik të të gjitha llojeve të automjeteve, pa pasur nevojë t’i shpenzohen buxhetit të Kosovës 110 milionë euro.

E, kur kësaj t’i shtohet edhe zënia e tokës agrare, humbja del tepër e madhe.

Kështu, pra, Kosova nuk i ka humbur vetëm 110 milionë euro të panevojshme për këtë rrugë, por i ka humbur edhe dhjetëra hektarë tokë të mirë bujqësore, e që është zënë me asfalt të panevojshëm.

Mirëpo, kjo e ka pasur kohën e vet të diskutohet e debatohet në Kuvendin e Kosovës. Dhe, nuk është debatuar për këtë gjë, meqë askush nga deputetët nuk ka qenë i informuar se rruga e Gadimes për në Gjilan ekziston në nivel shumë perfekt për qarkullim dhe del po aty ku del kjo autostradë.

Por, meqë tash shumica e punëve janë kryer, anulimi i tenderit për rrugën Banullë-Dheu i Bardhë, qysh po kërkon ministri Lumir Abdixhiku, më nuk ka logjikë e as kuptim të ndodhë.

Ose, në të kundërtën, ky anulim tenderi, po ndodhë për ndonjë manipulim tjetër kontraktues, e që ministri, eventualisht, të gjejë tjetër tenderues dhe për qëllime të tjera. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË