Bora e parë ishte borë gëzimi. Murlani e barte borën në pragun e derës së odës, duke e kaluar hajatin e gjerë mbi dy metra. Unë isha fëmijë kureshtarë.

Zgjohesha shumë herë gjatë natës për të parë nëse kishte rënë borë e madhe, shkruan “Kosovarja”.

Pleqtë luanin në odë lojën e kapuçave dhe thoshin se po binte borë e madhe. Xha Raifin, e që në burgun e Sremit i kishte bërë 12 vjet burg politik, e kishin quajtur “Rajko”.

Ai tregonte si dukej bora në oborrin e burgut dhe si e ndryshonte petkun e zi të jetës kur bardhësia mbulonte horizontin!

Kishte ndodhur diçka gjatë ditës, e që e kishte mbushur odën e babës përplot mysafirë. Kishte rënë pakëz borë mbi ngricën dimërore, kur axhës Imer, nga Plitkoviqi, i ishte thyer rrota e qerres së drunjtë nën murin e shtëpisë së xha Raifit.

Baba doli të shihte dhe pa plakun e mërdhirë pranë qerres së thyer. Për ta vënë rrotën duhej zbarkuar drutë dhe, pastaj, të qohet qerrja dhe të vendosej rrota e të ngarkoheshin drutë në qerre.

Babën e zuri rrota më shumë se plakun e qerres së thyer. Erdhi një zotëri, flokët përpjetë e të paluara mirë dhe iu turr babës ta lëshonte rrugën.
“Ta lëshosh rrugën menjëherë!”, bërtiti ai.

Babai, si i urtë që ishte, nuk dukej i tillë edhe në shpirt nëse e prekje në sedër. E shikoi zotërinë faqekuq nga nxehja në veturën “Fiat 1300”, që ishin shumë të rrallë dhe i tha se ishte duke e ndihmuar drushitësin, që ta lironte rrugën.

Por, zotëria faqekuq, nuk tërhiqej nga ideja se rruga duhej të lirohej menjëherë!

Babai iu drejtua dhe u mundua t’i shpjegonte se krejt kjo punë nuk mbaronte pa, të paktën, një orë punë dhe i tha se mund të hynte në odë e të rrinte dhe të pinte qaj, derisa ta aftësonte qerren e plakut.

Por, kur zotëria faqekuq i tha babës se a di kush jam unë, babai u ndalë dhe i bërtiti: “E di kush je. Ti je m…”

Dhe, tek e tha këtë fjalë, kapi një dru në qerre dhe ia mëshoi faqekuqit. Ai nisi të bërtasë dhe babai e detyroi t’u ndihmojë në largimin e qerres.

Por, ky incident u dëgjua me të madhe në tërë nivelin e komunës dhe, me siguri, edhe më gjerë.

Në mbrëmje u mbush oda mysafirë. Shumë prej tyre nuk i njihja. E njihja Hasanin, nga Bellanica e Podrimjes. E njihja Ajetin, nga Vërmica kufitare dhe disa të tjerë me do kofina thuprash të shelgut, që, me gjasë, kishin armë.

Nata ishte e pabesë nga ajo që kishte ndodhur gjatë ditës. Dy vetë do ruanin tërë natën jashtë odës te therat dhe njëri te shtegu i rrugës, që drejtohej kah oda. Burrat tjerë luanin lojën e kapuçave…

Sharjet në fund të lojës!
Burrat nisën të zbathnin çorapët e leshta dhe t’i vënin para vetes mbi qilimin kuq e zi.

Kokrra e fasules do të ishte ajo që do të fshihej nën çorapë. Një grup burrash në një anë, një grup në anën tjetër. Kriste shpina kur grushti me apo pa kokërr përplasej mbi shpinë, teksa bëhej gati të futej nën çorapë!

Kur dora futej nën të gjitha çorapët çorapë, atëherë i mbetej rendi grupit tjetër ta kërkonte korrën. Dy fjalë ishin që duhej të fliteshin para se të ngrihej çorapa: Teste – bosh!

Kur thuhej teste, çorapa ngrihej lart dhe nëse aty ishte kokrra, fitonte grupi10 pikë, kurse nëse ishte bosh – fitonte grupi tjetër.

Teste – bosh, teste – bosh dhe erdhi fundi i lojës. Në këmbë u quan pleqtë e grupit të xha Bajramit, që do e shanin alamet burrin e 12 vjet burgut politik në Srem, xha Raifin.

Ai ishte një burrë i ashpër dhe patriot, e që nuk do e duronte askënd për asnjë fjalë të keqe, pos atë natë ai qeshej teksa i dëgjonte sharjet që i drejtoheshin atij.

Xha Bajrami e nisi kështu sharjen:
“Çka je shtri, burrë, me një anë, bash si thiu në tershanë?”.

“Ky far Rajku, i gjatë si plepi, do e shtrojna dërrasë q….”, e kështu me radhë…

Dhe, sot, e marr me mend, çka do të ndodhte nëse do të shaheshin burrat në atë mënyrë! Sa kush do të hidhërohej, e sa kush do rrihej… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË