Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili së fundi është propozuar nga Qeveria si kryesues i ekipit negociator në dialogun me Serbinë, ka thënë se është i gatshëm që t’ia dorëzojë opozitës çështjen e dialogut.

Ai në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se deri tani bisedimet i ka zhvilluar institucioni i presidentit, ndërsa me votimin e ekipit negociator nga Kuvendi, sipas Limajt, Kosova do të ketë adresë të qartë për këtë proces.

Prandaj ai u ka bërë thirrje opozitarëve që të bashkohen në këtë çështje, të cilën ai e quan shumë të rëndësishme për të ardhmen për Kosovën.

Limaj, po ashtu, ka thënë se Kosova është kundër ndryshimit të kufijve, ndërsa duke folur për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe zëvendëskryeministri ka thënë se nuk do të pranohet një Republikë Serbe brenda Kosovës, pasi, sipas tij, ky do të ishte shkatërrim për Kosovën.

Në këtë intervistë për “Zërin” Limaj ka folur edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Sipas tij, së shpejti do të ketë lajme të mira.

 

MUND TË JU PËLQEJNË