Ende nuk dihet saktësisht pse dhe kush e shpiku njohjen nga shteti i Xhamajkës, shkruan “Kosovarja”.

Ajo çka dihet është se ka ndodhur një skandal diplomatik i Kosovës. Pa u verifikuar njohja, presidenti Thaçi e konfirmoi i pari njohjen nga Xhamajka!

Dhe, i besuan të gjithë… Kryeministri Kurti e falënderoi menjëherë Xhamajkën për këtë hap të rëndësishëm që i ndodhi Kosovës. Pra, për një njohje pas dy vjetësh.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, po ashtu, publikoi një foto me ministrin e jashtëm të Xhamajkës!

Dhe, duke e uruar, deshi të thoshte se ai kaherë e dinte që kjo do të ndodhte, sepse ishte edhe meritë e tij…

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, po ashtu, falënderoi Xhamajkën dhe e mori pak meritë për vete, duke thënë se qeveria e tij ishte meritore për këtë njohje…

Hashim Thaçi, madje, shkoi edhe më larg. E falënderoi edhe Eliot Engelin, kongresistin me prejardhje shqiptare në SHBA, për një lobim të suksesshëm.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, paralajmëroi diçka, e që i shkon për aludim Vlora Çitakut rreth këtij skandali.

Mirëpo, ambasadorja e Kosovës në SHBA, ende nuk e arsyetoi e as nuk e demantoi nga e kishte marrë lajmin se Kosovën e ka njohur Xhamajka.

Sidoqoftë, konfirmimi për njohje nga Xhamajka duhet të sqarohet. Është pjellë e Vlora Çitakut, apo e Hashim Thaçit?

Njohjet e shtetësisë dhe tërheqjet eventuale, janë kompetencë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ministria e ka për detyrë ta thotë çdo gjë që shtrihet në këtë dimension.

Sidoqoftë, njohjet e shtetësisë së Kosovës kanë një historik partizançe. Kujt i është tekur ka thënë se unë e solla këtë njohje apo unë lobova për këtë njohje!

Ka pasur, madje, edhe emra të estradës muzikore dhe të skenës së spektakleve të bukurisë, që me të shkuar në Indi a gjetiu, kuptohet për qëllime private apo aventureske, e kanë arsyetuar shëtitjen me lobim për njohjen e Kosovës!

Po ashtu, Behgjet Pacolli, edhe kur nuk ishte ministër i Punëve të Jashtme, shumë herë e ka marrë meritën e njohjeve për vete!

Sidoqoftë, Kosova kishte arritur t’i kishte 116 njohje nga vendet anëtare të OKB-së. Por, sipas Serbisë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, njohjen e Kosovës e kanë tërhequr 15 shtete.

E, në anën tjetër, as atëherë e as sot ish-ministri, Behgjet Pacolli, nuk i ka treguar opinionit kosovar se sa shtete e kanë tërhequr njohjen!

E, njohjet dhe tërheqjet, siç dihet, duhet të bëhen me dekret kredencial.

Andaj, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, duhet ta merr në dorë ligjin e kësaj natyre të njohje-tërheqjeve dhe të mos lejojë t’i futë hundët çdo kush në punët e jashtme të shtetit! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË