VIP (Very Important Person) apo “Person shumë i rëndësishëm” konsiderohet ai person, i cili gëzon privilegje speciale që statusin e tij e bëjnë të dallueshëm apo të rëndësishëm brenda shoqërisë, shkruan “Kosovarja”.

Rastet e tilla janë personat e famshëm, udhëheqës shtetesh, zyrtarë të lartë të korporatave të caktuara, individë të pasur ose persona të tjerë, të cilët gëzojnë status të veçantë për ndonjë arsye të caktuar.

Kush e gëzon këtë status në Kosovë dhe prej cilës fushë më shumë vijnë ata?

Privilegjet e shumta, veturat luksoze dhe numri i madh i truprojave, janë vetëm disa prej elementeve që disa nga politikanët e Kosovës i bëjnë që të trajtohen si VIP-a, një epitet ky që kudo në botë u jepet personave, të cilët, brenda shoqërisë ku jetojnë e veprojnë, gëzojnë statusin e të privilegjuarve.

Ndërkaq, në Kosovë e kanë shumë më vështirë të trajtohen si figura të tilla njerëzit që vijnë nga fushat e tjera, siç janë muzika, kultura, sporti…, të cilët, ndryshe nga politika, te ne sikur kanë mbetur në plan të dytë.

Në Kosovë, ku imitimi është bërë kod i veprimit të atyre që vuajnë për famën që nuk e gëzojnë, ndodh shpesh që personat të cilët në shoqëri të tjera të avancuara do të konsideroheshin të padobishëm, ta gëzojnë statusin e VIP-it, pavarësisht asaj se pakkush këtu ka njohuri se cilat janë kriteret që e bëjnë një person të caktuar të trajtohet si VIP, apo ndryshe nga qytetarët e zakonshëm.

Në Aeroportin e Prishtinës, në vendin ku shkruan se andaj kalojnë VIP-at, brenda një aneksi të veçantë, thonë të mos e dinë saktë kush është VIP e kush jo.
Megjithatë, në Aeroport thonë se i dinë rregullat se si të sillen ndaj VIP-ave.

Dhe, pa zbuluar detajet se kush konsiderohen në përgjithësi VIP-a, thonë se ata nuk janë vetëm nga politika, edhe pse shumica i takojnë këtij segmenti.

Një gjë dihet: Presidenti, kryeministri dhe kryetari i Parlamenti, siç dihet, përcillen me eskortë nga policia e Kosovës.

Sidoqoftë, Kosova i ka VIP-at e saj. Andaj, cilët mund të jenë ata?

Presidenti Hashim Thaçi


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pa dyshim, kryeson në listën e personave VIP në Kosovë.

Edhe në kohën kur ishte vetëm në krye të PDK-së, si partia më e madhe opozitare, e më vonë edhe kryeministër, e bën atë të jetë një nga personat më të rëndësishëm në Kosovë.

E tash, si kryetar shteti, ka status të veçantë shoqëror, vend të rezervuar për të kudo, lëvizjet me vetura luksoze dhe me përcjellje të eskortës nga policia, e kompletojnë imazhin e tij prej VIP-i numër një në Kosovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj

Edhe në kohën kur ishte vetëm kryetar i AAK-së, nga njerëzit përreth konsiderohej VIP i vërtetë.

Lëvizjet e tij të shoqëruara nga një numër i konsideruar truprojash, veshja e shtrenjtë, martesa me një figurë publike – moderatoren e RTK-së, Anita Muçaj, si dhe dëshira e tij për të qenë i pranishëm kudo që arrin, e bëjnë Haradinaj njërin prej VIP-ave më kreativ në Kosovë.

E, prej se është në postin e Kryeministrit të Kosovës, epiteti VIP veç sa i është shtuar, ani pse shpesh e shohim edhe në ngjarje të tjera jashtë politikës, në rekreacione të ndryshme, madje edhe në solidarizimin për pastrimin e ambientit.

Kryeparlamentari Kadri Veseli

Lista e personaliteteve VIP në Kosovë tutje vazhdon me Kadri Veselin, kryeparlamentarin e Kosovës, i cili, njëherësh, është edhe kryetar i PDK-së.

Edhe ai kudo shihet me përcjellje nga truprojat e tij dhe eskorta e policisë.

Në krahasim me Ramush Haradinjan, të cilin, siç thamë e shohim edhe në aktivitete jashtë politikës, ai rrallëherë del nga kabineti i tij prej diplomati.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli


E, nëse dikë paratë e bëjnë VIP, ky patjetër është biznesmeni i njohur kosovar, Behgjet Pacolli, i cili që me formimin e AKR-së, i hyri edhe politikës, madje arriti që me një përqindje shumë të vogël të votave që fitoi të marrë edhe postin e zëvendëskryeministrit, madje edhe postin ministër i Politikës së Jashtme.

E, çka bëri me Ministrinë e Politikës së Jashtme, e dimë të gjithë. Jo vetëm që nuk arriti të sigurojë njohje të reja nga shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, përkundrazi disa shtete edhe i tërhoqën njohjet e veta, që është për keqardhje.

Ai më shumë është jashtë Kosovës sesa në Kosovë, sepse jashtë e ka edhe biznesin e vet, i cili i sjellë përfitime të majme.

Sidoqoftë, në sytë e kosovarëve Begjet Pacollin më shumë e bëjnë VIP paratë e tij të majme sesa politika, e që deri tash nuk është treguar fare i suksesshëm.

Veton Surroi – publicisti VIP

Deri para se xhamat e tij të jenë thyer me gurë, e që një gjë e tillë ndodhi që moti, njerëzit e kanë parë çdo ditë a mbrëmje publicistin Veton Surroi (dikur edhe kryetar i partisë “ORA”), duke shëtitur vetëm rrugëve të Prishtinës.

Por, kohët ndryshuan dhe një kohë të gjatë më Veton Surroi nuk ecte pa truproje.

Sidoqoftë, një kohë të gjatë ka qëndruar nëpër botë, duke lobuar, siç thuhej për pavarësinë e Kosovës, e cila, me ndihmën e Zotit e të Amerikës, si dhe të shteteve të tjera mike të Kosovës edhe u arrit.

Me vetë faktin se shumë herë ka deklaruar se pasuria e tij arrin në 40 milionë euro e më shumë, kjo e bën të konsiderohet si VIP.

Sabri Fejzullahu, këngëtar

Nuk janë vetëm politikanët ata që brenda një shoqërie e gëzojnë statusin e VIP-it, me këtë as brenda shoqërisë kosovare, edhe pse te ne, pikërisht, privilegjet më të mëdha u janë akorduar politikanëve, nga të cilët prijnë ministrat me shkollë pak e luks shumë.

Nëse kemi një VIP në muzikën kosovare, ai i takon Sabri Fejzullahut. Një kohë Sabriu provoi të merret edhe me politikë, duke qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së (dikur ishte adhurues i flaktë i LDK-së së Ibrahim Rugovës), por nuk u tregua fare i suksesshëm në këtë drejtim.

Por, me gjithë suksesin që ka arritur me këngët e tij, Sabri Fajullahu kurrë nuk është parë duke ecur me truproje e as nuk ka menaxher. Punët i kryen vetë, ndërkohë që mbetet i pazëvendësueshëm në skenë.

Agnesa Vuthaj, mis

E sprovuar në konkurset e bukurisë dhe duke qenë edhe “Miss Kosova”, Agnesa Vuthaj është person i rëndësishëm në skenën kosovare edhe me rezistencën e saj për ta dorëzuar kurorën e bukurisë pas pështjellimeve dhe premtimeve të rrejshme që asaj i ishin bërë nga organizatorët dhe sponsorët e bukurisë, si fituese e veturës, meqë ishte shpallur “Miss Kosova”.

Megjithatë, Agnesa, një nga miset e rralla kosovare, që natyra veç bukurisë ia ka falur edhe mendjehollësinë, ishte person interesant edhe për faktin se një kohë që emëruar zëdhënëse e Nexhat Dacit, në garën e këtij të fundit për pushtet.

Por, edhe ajo kohë kaloi dhe Agnesa iu kthye biznesit të vet, me të cilin edhe qëndron shumë mirë. Agnesa, përndryshe, në jetën e përditshme është e thjeshtë, me të komunikohet lehtë, ndërsa bukuria ia ka mundësuar asaj të jetë në mesin e atyre që konsiderohen si VIP-a të jetës artistike në Kosovë. Diturie Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË