Duhet ta shkruajmë historinë pa parti politike. Ta mësojmë historinë nga librat e historisë, por jo nga librat ku janë autorë militantët partiakë, shkruan “Kosovarja”.

Duhet t’i ndriçojë shteti me gjyqësorin e vet vrasjet politike të luftës dhe të pasluftës, por jo partitë politike të mbjellin helm në brezat e rinj, e që duhet të edukohen profesionalisht dhe kombëtarisht në frymë konstruktive.

Jo t’i ndajmë heronjtë në parti, por t’i nderojmë si heronj.

Jo të vendosim flamuj varr më varr, por ta shënojmë sakrificën e tyre me nga një flamur në hyrje të varrezës.

Dy varre në një varrezë, njëri i adhuruar nga PDK-ja e tjetri nga LDK-ja, me nga një flamur kombëtar mbi varr dhe me dy ceremoni përvjetorësh, në vend se të jenë vetëm me një flamur dhe me një ceremoni përkujtimore…

Një qytetar amerikan po bëhet me lapidar në Reçak të Shtimes. Më saktësisht, në kompleksin memorial të të masakruarve të Reçakut, që ndodhi më 1999. Viliam Vokeri, njeriu më meritor që e tha fjalën e madhe në vendin e duhur. Tha ashtu siç ishte, por në një kohë të vështirë, kur ishte zor ta thoshte…

Dhe nëse dikush e meritoi një bust për së gjalli në Reçak, ai është njeriu me emrin Viliam Voker, diplomat, të cilin më mirë se kushdo tjetër e njohin shqiptarët e Kosovës, e veçmas shqiptarët e komunës së Shtimes me rrethinë.

Përtej kësaj, një pllakë përkujtimore do të bëhet për disa ushtarë sllovakë, u tha në lajmet e fillimjanarit të këtij viti. Edhe kjo në rregull. E kanë dhënë jetën në tokën e Kosovës.

Nuk do të ketë lidhje që nuk na ka njohur si shtet Sllovakia, edhe pse është vend i BE-së, por me rëndësi është ta kryejmë detyrën tonë si popull, në mënyrë që ata që e kanë dhënë jetën në Kosovë ta kenë të shënuar rënien e tyre. Sepse, populli shqiptar ka vlera humane dhe nuk e harron askënd që e ka dhënë jetën për Kosovë.

Por, ka edhe shtete ku shqiptarët kanë rënë në tokat e të tjerëve, e ata nuk janë mirënjohës për sakrificat e tyre…

Asim Vokshi e Xhemal Kada janë heronj që kanë rënë në Spanjë, pranë lumit Ebro, por Spanja nuk e njehë pavarësinë e Kosovës!

I kemi bërë bust Bill Klintonit në Prishtinë, presidentit amerikan, i cili në vitin 1999 i tha stop Serbisë, kohë kur shqiptarët e Kosovës masakroheshin nga Serbia.

E kemi nderuar me një bust jo aq profesional, por aq kemi pasur mundësi…

Me rëndësi është ta kemi zemrën njerëzore dhe anën humane ta shpaguajmë me humanitet dhe zemërgjerësi.

Lapidarët e inateve
Përtej kësaj që është histori humane nga raportet ndërkombëtare, Kosova është tokë e mbushur me lapidarë, përmendore, flamuj dhe pllaka prej nga kujtohen të rënët.

Ata që i kujtojnë kuvendet parlamentare, udhëhequr nga Kadri Veseli, mbajnë mend kur e akuzuan të opozitës, e besa edhe nga pozita, për vrasjet e pasluftës.

U ngrit Kadri Veseli dhe burrërisht tha, përafërsisht kështu: Të gjithë ata që akuzojnë kanë mundësinë t’i drejtohen prokurorisë së shtetit dhe aty është vendi të flasin. Aty thoni se Kadri Veseli është vrasës, e ka bë këtë e atë, por mos flisni pa fakte…

Kështu tha Kadri Veseli në Parlament, por sot e atë ditë askush nuk u drejtua në prokurori për ta paditur Kadri Veselin, e as të tjerët që janë apostrofuar me të madhe pas lufte.

Shteti duhet t’i ndjekë dhe të hapë procedura për zbardhjen e fakteve se kush i bëri vrasjet. Nëse ishin të porositura a qërim hesapesh brendapartiake.

Këto punë duhet t’i kryejë shteti përmes sistemit të drejtësisë e jo përmes partive. Prandaj, për vrasjet e personaliteteve në luftë dhe pas lufte, të mos flasim nga pozita partiake.

Ata që kanë vrarë të dënohen pasi të zbardhen faktet nga drejtësia, ndërsa njerëzit të vazhdojnë të punojnë sipas ligjit dhe kulturës politike që i arrijnë me marrëveshjet konstruktive.

Pra, me vrasjen e veprimtarëve të LDK-së të merret drejtësia e jo partiakët. Sepse, duke i trajtuar këto raste si partiake, në popull mbillet urrejtja e së ardhmes.

Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit duhet të ndriçohet nga shteti, si edhe e Tahir Zemajt e të tjerëve, sepse shteti funksionon sipas organeve profesionale e jo të atyre partiake.

Flamujt dhe pllakat
Kudo që shkon nëpër Kosovë njeriu has në përmendore, pllaka përkujtimore dhe në flamuj që janë vënë pa kritere.

Në shumë varreza valojnë flamuj kombëtarë, në vend se në një varrezë, ku ka varre dëshmorësh, të shënohen me një flamur në hyrje të varrezës.

E, kjo të mos bëhet me iniciativë private, por me iniciativë shtetërore zyrtare, me akte normative dhe ligjore.

Kush dhe pse vendos flamur në varre?
A duhet shënuar në varre një pllakë e përbashkët?

Po ashtu, nuk është mirë të ngrihen buste, të veshura me atribute kombëtare, pa kaluar në filtra të shtetit, e ku ka kritere e fakte, por meritat t’i shënohen atij që i meriton.

Edhe pllakë përkujtimore, e që te ne ka me bollëk, të mos i bëhen çdo kujt shkel e shko, por t’i bëhen atij që e meriton.

Vetëm ashtu mund të mos komprometohen ata që kanë rënë për Kosovën, e jo të futen në një “thes” ai që ka rënë në luftë për liri me atë që ka rënë, ta zëmë, në ngjarje të tjera.

Një faqe histori për Adem Jasharin!
Kur i dëgjon në biseda private disa komandantë që flasin për “luftën” e disa komandantëve të tjerë, sheh se në mes tyre ka inate e xhelozi, sa njeriu mund të mendoj se sa intaçorë paskëshin qenë mes vete komandantët…

Se njëri ka qenë komandant FARK-u e tjetri nga UÇK-ja. Andaj, nuk është edhe befasi pse edhe heronjtë kombëtarë janë të ndarë në parti dhe disa dëshmorëve ua mbajnë datat e përvjetorët PDK-ja e disa LDK-ja!

Duhet që heronjtë tanë të mos i dallojmë. Por, për të ndodhur kjo nuk duhet që tekstet e librave të historisë t’i shkruajnë njerëzit e partive dhe fanatikët partiakë.

Tekstet duhet t’i shkruajnë historianët e mirëfilltë. Jo t’i kemi gjashtë faqe histori në klasën e shtatë për Benito Musolinin, kurse një faqe histori për Adem Jasharin dhe heroizmin e Prekazit që i ka ndryshuar rrjedhat e jetës në Kosovë.

Duke pasur nëpër institucione autorë partiakë që shkruajnë libra të historisë sipas porosive partiake, krijojmë në hendek mes popullit dhe kultivojmë bajraktarët dhe bajraktarizmin.

Andaj, nuk duhet të mbjellim urrejtje politike në popull, e aq më pak te nxënësit.

Fëmijët nuk guxojmë t’i ndajmë në parti e emra partish, por t’i edukojmë e arsimojmë për një të ardhme më të mirë… Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË