Kanë mbetur edhe tri ditë kur Albin Kurti duhet të takohet me presidentin, Hashtim Thaçin, për t’u mandatuar kryeministër i Republikës së Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Do të ketë apo nuk do të ketë qeveri, Albin Kurti do të mandatohet për këtë post, bazuar në fitoren e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Por, sipas ecurive që dihen nga takimet VV-LDK, formimi i qeverisë duket i largët!

Gjermanët kanë ndërhyrë në procesin e përshpejtimit të formimit të qeverisë, ndërkohë që LDK-ja zor se do të pajtohet për të lëshuar pe, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Tashmë kjo parti ndihet e tradhtuar nga Albin Kurti që në start…

Megjithatë, cilado parti që do të tërhiqet nga projekti i saj për një koalicion qeveritar, do ketë pasoja në të ardhmen partiake.

Por, ajo që VV-ja ka thënë së fundi, është se LDK-së t’i lejohet posti i presidentit, ndërkohë që ai post edhe një vit e gjysmë është në funksion të plotë me Hashim Thaçin.

Nëse LDK-ja do e pranonte si punë të kryer idenë e VV-së për një variant të tillë, do i binte se VV-ja e mori kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, LDK-ja i bie sikur do pajtohej me thënien: “Peshku në det, tigani në zjarr!”.

E, nëse do ndërronte ndërkohë ligji për zgjedhjet, realisht presidenti do zgjidhej nga vota e popullit, e pazari i dy partive fituese për postin e presidentit do të avullohej dhe LDK-ja do mbeste shërbëtore e VV-së!

Në këtë mënyrë, LDK-ja, si partia më me traditë shtetformuese në Kosovë, do luante vetëm rolin e mbajtjes së zhagut të Albin Kurtit!

VV-ja nuk mund të krahasohet me LDK-në për kuadro
Është shpërputhje shumë e madhe e kualitetit në renditjen kabinetike të emrave të përveçëm ndërmjet këtyre dy partive, nëse matematika momentale do prodhonte një qeveri të tillë!

LDK-ja, me shumë emra e kuadro për çdo profil ministror, do të ishte në shërbim të VV-së, e cila ka fare pak emra të dëshmuar, për të qenë ministra!

Në këtë rast, emrat e dëshmuar të LDK-së do i shërbenin stafit të anonimusve, që njihen më shumë nga hedhja e gurëve që dikur vandalizonin kryeqytetin!

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk duhet formuar qeveria. Por, në rastin konkret, partia fituese duhet t’i kuptojë disa gjëra që tashmë janë parime për mirëkuptim të ndërsjellë.

Por, edhe LDK-ja duhet ta kuptojë se Albin Kurti është fituesi nga vota e 6 tetorit për kryeministër dhe ky post nuk mund të vihet në treg për t’u shtyrë me çmime!

VV-ja, në anën tjetër, duhet të kuptojë se, edhe pse është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, ajo ka fituar vetëm ¼ e 42 për qind të votave, që kanë dalë në zgjedhje.

Andaj, VV-ja nuk mund të sillet ndaj LDK-së si fituese absolute, meqë partneri i saj ka vetëm një deputet më pak se ajo vetë.

Kështu, meqë VV-ja e vetme nuk mund ta formojë qeverinë, duhet t’i qaset me besnikëri dhe korrektësi partneritetit me partinë e Isa Mustafës, që, megjithatë, është treguar korrekte në ofertën për formimin e qeverisë.

LDK-ja nuk e ka imituar, ta zëmë AKR-në e Pacollit, e cila, duke mos i pasur as 2 për qind të votave, të luajë me marrjen e sa të dojë ministrive me alamet anonimusë në krye të ministrive, që nuk i njeh as mëhalla e vet, e lëre më populli!

Për më shumë, LDK-ja ka treguar korrektësi ndaj VV-së. E, dihet se VV-ja krejt fushën e vet të bashkëpunimit e ka me vija të kuqe ndaj të tjerëve, duke krijuar, kështu, një fushë të minuar politike për vete.

Andaj, kudo që shkel, të sigurtën e ka vetëm me LDK-në, por që e tradhtoi me marrjen e postit të Kuvendit, e që ishte letra e parë që e mbante në lojë koalicionin e mundshëm.

Kështu, Albin Kurti, e që është pothuajse i vetmi në VV që ka autoritet, duhet të lëshohet në tokë, nëse do të bëjë qeveri me LDK-në.

E, populli po e kërkon formimin e qeverisë sa më shpejt, meqë shteti çdo ditë e më shumë po izolohet nga bota në mungesë të qeverisë, por edhe çështja e rrogave për sektorin shtetëror po vjen në pikëpyetje…

Përndryshe, nëse VV-ja nuk do ecë në tokë, duhet t’i jepet mundësia LDK-së ta formojë qeverinë me të tjerët, si parti e dytë fituese. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË