Qeveria Kurti ka nisur të luajë me SHBA-të!

Dhe, në këtë armiqësim me Amerikën, ambasadori Grenell e demantoi publikisht se përkrahë në ndonjë mënyrë heqjen e pjesshme të taksës ndaj Serbisë, sikur u konfirmua nga këshilltarët qeveritarë, shkruan “Kosovarja”.

Për fat të keq, ka paralajmërime amerikane për masa e sanksione ekonomike ndaj Kosovës. Pra, masat e para që i ndërmerr, zakonisht, Shtëpia e Bardhë ndaj çdo shteti që nuk është në vijën miqësore me politikën amerikane, e sidomos në vatrat e krizave.

Kështu, kryeneçësia qeveritare, me në krye Albin Kurtin, ka nisur të luajë me Amerikën!

Me SHBA-të nuk ka rëndësi vetëm pranimi i politikave të tyre nën presion kur s’ke qare, por shumë më shumë kanë rëndësi marrëdhëniet miqësore që dëshmojnë se Kosova, vërtet, e do aleatin e vet më të besueshëm.

Andaj, si është e mundur të thuhet se ne e duam Amerikën, por nuk i përfillim kërkesat amerikane?!

Në kreun e qeverisë së Kosovës, ky është mandati i dytë qeveritar që SHBA-ja nuk respektohet e as nuk përfillet!

Madje, gjërat kanë shkuar deri aty sa zyrtarë të lartë qeveritarë po deklarohen zëshëm se edhe nëse shkon Amerika nga Kosova, nuk është punë e madhe!

Dhe, deklaratat e tilla qeveritare mund t’i kapërdijë stafi i VV-së në qeveri, por habit fakti pse LDK-ja, si bashkëqeverisëse, nuk reagon më zëshëm!

Në anën tjetër, habit edhe fakti pse Albin Kurti po shkon pas BE-së, ndërkohë që prioritet duhet të jenë SHBA-të!

Pse? Sepse, BE-ja Kosovën e sanksionon qe 20 vjet me politikën e buzëqeshjes, sa me misione korruptive, po aq edhe me mosdalje në krahë për liri të lëvizjes.

BE-ja e ka favorizuar Serbinë, duke i hapur kapituj të dialogut brenda të cilit janë shkelur kriteret e demokracisë!

Madje, është politika e BE-së ajo që sot Serbinë e sheh si viktimë!

Në Kosovë ka korrupsion, por në Serbi, gjithashtu, ka edhe më shumë, siç është njëjtë edhe në rajon: në Maqedoni, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë…

Krim dhe korrupsion ka, po ashtu, edhe në vetë shtetet e BE-së, si në Bullgari, Rumani e në shumë shtete të tjera.

E, vetëm Kosova e paguan faturën e korrupsionit nga BE-ja!

LDK-ja nuk guxon t’i rrezikojë marrëdhëniet me SHBA-të

Sidoqoftë, LDK-ja, si partia më e vjetër në Kosovë dhe më besnikja ndaj SHBA-ve, si partnere e koalicionit, nuk guxon t’i rrezikojë marrëdhëniet shtetërore me Amerikën.

Andaj, nëse Kurti nuk reagon me heqjen urgjente të taksës ndaj kërkesave amerikane, Isa Mustafa duhet ta korrigjojë pozicionin e partisë së tij në koalicion.

LDK-ja, pra, si parti shtetformuese, nuk guxon ta rrezikojë besueshmërinë e vet ndaj SHBA-ve.

E, masat gjysmake të Kurtit ndaj heqjes së taksës, janë më shumë marketing politik! Kurti do heqë më 15 mars tarifën për lëndët e para, ndërsa, siç ka thënë ai, me 1 prill e heqë tërësisht taksën, pasi të bindet se Serbia e ka ndaluar fushatën e çnjohjeve të Kosovës.

Por, sikur harron se qe 20 vjet Serbia deklaron se nuk do e ndalë synimin dhe lobimin kundër Kosovës, e për 15 ditë Albin Kurti, kinse, do e kuptojë intencën e Beogradit ndaj Kosovës se a do e ndalë lobimin kundër Prishtinës a jo!

Por, një gjë është e sigurt: Veç Amerikës, sot me Kosovën nuk po merret askush, kur është në pyetje ta ndihmojë me sado pak progres!

Në anën tjetër, dihet fakti se Amerika është sponsori i shtetit të Kosovës dhe i ekzistencës së tij në trojet e veta.

E, lidhja me BE-së duhet nënkuptuar si natyrshmëri gjeografike, meqë Kosova është në Evropë. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË