Pavarësisht situatës së rënduar në vend si pasojë e përhapjes së pandemisë COVID-19, Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Isa Mustafën ka filluar përgatitjet për ta lënë vendin pa udhëheqje. Pas shkarkimit të Agim Veliut dhe pas refuzimit të Kurtit për ta hequr taksën pa kushte, LDK-ja dëshiron ta braktisë koalicionin me Vetëvendosjen me arsyetimin se nuk do të qëndrojnë në një qeveri antiamerikane.

Një situatë të tillë politike në Kosovë janë duke e ndjekur nga afër edhe nga Bashkimi Evropian. Kështu i ka thënë Gazetës Express Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

“Ne jemi duke i ndjekur për së afërmi zhvillimet që po ndodhin në Kosovë. Situata aktuale e passhpërthimit të COVID-19, vë në pah nevojën për konsensus, unitet politik dhe qëllime të përbashkëta”, ka thënë Pisonero.

Ajo tutje ka thënë se partitë politike në Kosovë duhet ta vëndosin interesin dhe mirëqenien e qytetarëve para çfarëdo interesi tjetër personal.

“Partitë politike para së gjithash duhet të kujdesen për mirëqenien e popullit të Kosovës dhe ta vendosin atë mbi çdo interes personal”, ka përfunduar për Express, Ana Pisonero.

Megjithatë, sot lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka dhënë sinjale se iniciativa e tij për të rrëzuar Kurtin mund të evitohet nëse ky i fundit heq taksën 100 % siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse kthen mbrapa vendimin për shkarkimin e Agim Veliut dhe nëse i kërkon falje LDK-së.

Kundër rrëzimit të Qeverisë në këtë kohë është edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Carmon Tuabadel.

Ajo ka thënë se nëse procedohet me mocionin e LDK-së dhe rrëzohet Kurti, atëherë një zhvillim i tillë do të jetë katastrofal për Kosovën.

Siç ka potencuar Taubadel, rrëzimi i Qeverisë së Kosovës do të ketë efekte negative edhe për të gjithë rajonin.

MUND TË JU PËLQEJNË