Gjykata e Qarkut Rheintal në Zvicër ka dënuar kosovaren M. F. me 4 vjet e gjysmë ose 54 muaj ndalesë për veprën penale abuzim me pensionin e invaliditetit. I akuzuari tjetër, bashkëshorti i saj, A. F. është dënuar 24 muaj ndalesë por me kusht.

Po këto dënime i kishte kërkuar edhe prokuroria, për të dytë.

Gjykata ka konstatuar se kosovarja 49 vjeçare, që nga shkurti i vitit 2003 ka simuluar duke u paraqitur si e paaftë për punë dhe ka marrë pensionin e invaliditetit.

Gjithçka ka ecur mirë derisa në vitin 2014 enti social i St. Gallenit nuk ka marrë një informacion anonim lidhur me abuzimin dhe ka filluar observimin e rastit.

Në aktakuzë, prokuroria flet për gjithsej 688 mijë franga që çifti i ka zhvatur nga sigurimet sociale, përfshirë këtu edhe të hollat në emër të bashkëshortit dhe të fëmijëve.

Sipas akuzës, gruaja e paraqitur si invalide, paralelisht me pensionin përkatës, ka fituar para edhe nga firma e vogël e sigurimeve që ishte e regjistruar me emrin e bashkëshortit të saj.

Informacioni anonim fliste se kosovarja që konsiderohej invalide, ngiste makinën, bartte gjësende të rënda dhe ishte e angazhuar si punëtore sigurimesh, transmeton albinfo.ch. Të gjitha këto punë ishin në kundërshtim me dosjen e saj mjekësore, sipas së cilës ajo, pas një aksidenti të pësuar në shtator të vitit 2001, ishte e paaftë për punë në shkallën 100 për qind.

Para gjykatës, 49 vjeçarja ka deklaruar veten të pafajshme. “Këto akuza janë shumë të rënda. Unë me siguri nuk jam duke simuluar”, ka thënë ajo, duke shtuar se është e sëmurë rëndë: kishte dhembje në kokë, kurriz, qafë, në gjithë trupin. Diagnoza e saj për vetveten është: “Unë nuk mund të punoj”.

Por trupi gjykues ka tjetër qëndrim rreth kësaj. “Sjellja juaj duhet kualifikuar si tepër e pacipë!”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, përcjell albinfo.ch. Gjykata është shprehur para së gjithash e shokuar me deklarimet e gruas, të incizuara gjatë përgjimit të telefonatave, të lejuara me vendim gjyqësor.

Duke qenë se dy bashkëshortët pas fillimit të hetimeve kundër tyre kanë falimentuar me mashtrim ndërmarrjen e tyre të sigurimeve dhe paratë i kanë bartur në Kosovë, ata ligjërisht do të duhej të dëboheshin detyrimisht nga Zvicra. Por, ata mund t`i shpëtojnë këtij dënimi për një arsye të thjeshtë: neni përkatës ligjor që mundëson një gjë të tillë, ka hyrë në fuqi vetëm në tetor 2016 ndërsa pjesa më e madhe e veprimeve të kundërligjshme ka ndodhur para kësaj date. Por, një tërheqje eventuale e lejes së qëndrimit në Zvicër është ende e mundur.

Sidoqoftë, çiftit kosovar edhe kështu do t`i duhet të paguajë shuma të mëdha në emër të zhdëmtimit: Gruaja, si e fajësuar kryesore duhet t`ia paguajë shtetit 577 mijë franga ndërsa bashkëshorti i saj, 100.000 franga, transmeton albinfo.ch. Për më tepër, bllokimi i regjistrit të tokës do të mbahet në fuqi, në mënyrë që shtëpia e të dyve në Berneck SG një ditë të mund të vihet në procedurë përmbarimi (të merret nga shteti në emër të nxjerrjes së borxheve).

Vendimi gjyqësor ende nuk është i plotfuqishëm.

MUND TË JU PËLQEJNË