Të dhënat e fundit të publikuara nga Zyra Evropiane për Azil tregojnë se aktualisht në vendet e zonës Shengen ka vetëm 1500 kërkesa të azilkërkuesve nga Kosova.

Sipas kësaj zyre, 12 shtete të tjera që mund të hyjnë pa viza në BE kanë numër më të lartë të kërkesave për azil.

Statistikat e publikuara nga Zyra Evropiane për Mbështetjen e Azilit, tregojnë se azilkërkuesit nga Kosova nuk përbëjnë shqetësim aq të madh për Bashkimin Evropian dhe emigracionin e parregullt, raporton televisioni publik.

Sipas këtyre të dhënave, në fakt janë 12 shtete të tjera të cilat nuk kanë regjim vizash por që shtetasit e tyre përbëjnë numrin shumë më të lartë të kërkesave të pabaza për azil.

Sipas statistikave të fundit, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Gjeorgjia, Ukraina, Kolumbia, El Salvadori, Honduras Venezuela, Peruja dhe Nikaragua kanë numër më të lartë se Kosova të azilkërkuesve.

Këto të dhëna tregojnë se numri i kërkesave të kosovarëve për azil në ndonjë prej vendeve të BE është zvogëluar për gati 50% brenda dy viteve të fundit. Një total prej 1,940 aplikimesh për azil janë paraqitur nga shtetasit e Kosovës nga janari deri në qershor të këtij viti, ndërsa 28.4% e tyre ishin kërkesa të përsëritura.

Nga vendet e BE-së numrin më të lartë të azilkërkuesve e ka aktualisht Shqipëria ndërsa më pak kanë Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Sipas kësaj zyre, korrupsioni, papunësia, mungesa e sigurisë në punë dhe pagesa e ulët janë faktorët kryesorë që po i shtyjnë njerëzit nga vendet e Ballkanit të kërkojnë azil në bllokun evropian.

MUND TË JU PËLQEJNË