Gati dy milionë qytetarë të Kosovës deri më tani kanë qenë të varur nga një aparaturë e rezonancës magnetike, e cila diagnostikon sëmundje të ndryshme. Për këtë lista e pritjeve të pacientëve ka qenë e gjatë, ku të njëjtit janë detyruar të presin me muaj, e jo rrallë herë edhe një vjet për ekzaminim mjekësor.

Në QKUK javën e kaluar ka arritur aparatura e dytë e rezonancës magnetike, e cila po thuhet se do të funksionalizohet javën e parë të dhjetorit. Mes tjerash, furnizimi me këtë aparaturë po thuhet se do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe uljen e listës së pritjes.

Në një intervistë për KosovaPress, drejtori i Radiologjisë në QKUK, Bujar Gjikolli thotë se ky repart po punon ende në gjendje të vështirë.

E derisa pacientët vazhdojnë të presin me muaj për të kryer rezonancën magnetike, Gjikolli thotë se Kosova tashmë është bërë me aparaturën e dytë. Ndërkohë ai thekson se në javën e parë të dhjetorit pritet që të funksionalizohet. Ai zotohet se tashmë me këto dy aparatura, do të ulet numri i pacientëve të cilët po presin për ekzamanim.

“Pak do të jemi më komod, do të kryejmë punë më tepër, pastaj do të punojmë edhe në ngritjen e cilësisë së shërbimeve. Tani jemi në një fazë emergjente të shërbimit të ofrimit të pacientëve në mbarë Kosovën për nevojat me rezonancë magnetike. E pastaj do të shohim edhe të rrisim kualitetet, të bëjmë një rregull, mos të ngarkohemi më tepër me numra, por edhe të shërbejmë ata më mirë…( 13:20) , Me siguri do të kontribuojmë në uljen e pritjeve të pacientëve, ne po flasim për pacientët ambullantorë, ndërsa për pacientët spitalorë lista e pritjeve është zero. Kërkesat janë në rritje, dhe vazhdimisht kemi më shumë pacientë që kërkojnë se që mund t’iu ofrojmë. Ne nuk kemi iluzion që pritjen e pacientëve spitalorë ta kemi zero, me dy aparata do t’iu ofrohemi afër”, deklaron Gjikolli.

Klinika e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për kohë të gjatë është përballur edhe me mungesë të një preparati të nevojshëm, siç është kontrasti që përdoret gjatë ekzaminimit me rezonancë magnetike dhe tomografi të kompjuterizuar.

Gjikolli tregon se vetëm në tre muajt e fundit janë ofruar 1600 shërbime me rezonancë magnetike, ndërkaq gjashtë mijë me topografi të kompjuterizuar.

Reparti i radiologjisë, tash e disa muaj është edhe në proces të rinovimit.

MUND TË JU PËLQEJNË