Fundviti ishte i kobshëm për familjen Belegu nga Komuna e Istogut, kjo pasi që në vendin e punë humbi jetën i biri i tyre 22 vjeçar, Filonid Belegu.

E situata të njëjta kanë përjetuar edhe 21 familje të tjera në Kosovë, të cilët gjatë këtij viti humbën më të dashurit e tyre në vendin e punës.

Si rrjedhojë, siguria në vendin e punës në Kosovë gjatë gjithë vitit 2018 ka qenë njëra nga temat më të diskutuara. Vetëm gjatë këtij viti në vendin e tyre të punës humbën jetën 22 persona kurse më shumë se 112 persona kanë pësuar lëndime trupore.

Shpesh faji është hedhur mbi kushtet që po iu ofrohen në vendet e punës, të cilët po konsiderohen që të mos jenë në nivelin e duhur.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi për “Indeksonline” ka thënë se jo të gjitha këto vdekje lidhen me marrëdhëniet e punës apo me kushtet e punës, ani pse vetëm dy nga këto raste kanë qenë vdekje natyrore.

“Gjatë kësaj periudhe të vitit 2018 kanë ndodhur 22 vdekje në vendin e punës. Mirëpo duhet të potencojmë që jo të gjitha këto vdekje në vend të punës lidhen me marrëdhënien e punës apo me kushtet e punës, sepse dy nga këto vdekje janë vdekje natyrore dhe nuk janë pasojë e ndonjë aksidenti eventual. Gjithashtu katër raste të vdekjeve që lidhen me ushtrimin e punës kanë ndodhur në shtëpi private dhe rrjedhimisht nuk ka ekzistuar ndonjë marrëdhënie juridike e punës, sikur që nuk ka ekzistuar marrëdhënie e tillë e punës as në dy raste të tjera kur të vdekurit në vend pune kanë qenë pronar apo bashkëpronarë të subjekteve ku ka ndodhur aksidenti që ka përfunduar me fatalitet. 13 rastet tjera janë aksidente që kanë ndodhur tek punëdhënësi, dhe nga to, në ndërtimtari kanë ndodhur 11 raste”, është shprehur Ibrahimi.

Ai ka theksuar se gjatë muajve Janar–Nëntor, Inspektorati i Punës ka shqiptuar 251 gjoba për mos respektim të ligjit në fuqi për siguri në punë.

Kurse, nevoja për inspektor po vazhdon që të jetë e madhe pasi që kanë vetëm 42 inspektor të cilët duhet të mbulojnë të gjithë territorin e Kosovës.

Këtë e ka pranuar edhe vet Ibrahimi i cila ka theksuar se ka edhe mungesë të stafit mbështetës profesional dhe kapaciteteve logjistike dhe infrastrukturore.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, IP ka pasur të angazhuar 42 Inspektorë të Punës. Në fakt ky është numër shumë i vogël për mbikëqyrje efektive dhe efikase të legjislacionit që bie në kompetencë të Inspektoratit të Punës dhe rrjedhimisht kjo është edhe sfida më e madhe e këtij institucioni. Për më tepër, IP ballafaqohet edhe me mungesë të stafit mbështetës profesional, pastaj të kapaciteteve logjistike dhe infrastrukturore, etj”, është shprehur Ibrahimi.

Por vetëdija për ankesa edhe këtë vit ka qenë e vogël në krahasim me rastet e shkeljeve dhe vdekjeve në vendin e punës.

Sipas kryeinspektorit Ibrahimi, numri i ankesave të dorëzuara në Inspektoratin e Punës ka qenë 1 438.

“Numri i ankesave që janë dorëzuar në Inspektoratin e Punës në këtë periudhë është 1 438, dhe kjo na jep të nënkuptojmë që ndaj institucionit të Inspektoratit të Punës është rritur besueshmëria e qytetarëve dhe palëve dhe si efekt i kësaj ata i drejtohen me ankesa këtij institucioni”, ka thënë Ibrahimi.

Kryesuesi i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, Çerkin Dukolli ka thënë se kapacitetet e Inspektoratit të Punës janë të vogla, por pritet të plotësohen me 10 inspektor të rinj vitin e ardhshëm.

“Kapacitetet e Inspektoratit të Punës, përkundër punës së madhe të bërë, kanë qenë jo të plota në numër për të realizuar vizitat pothuajse në të gjitha ndërmarrjet publike dhe ato private dhe presim që numri i Inspektorëve gjatë vitit 2019 do të rritet edhe për 10 inspektor të rinj”, është shprehur Dukolli.

Ky i fundit ka thënë se vitin e ardhshëm duhet që fokusi kryesor të bie te sektorët që paraqesin rrezikshmëri më të lartë.

“Inspektimet do të fokusohen kryesisht tek sektorët që paraqesin rrezikshmëri më të lartë, do të vazhdojmë me vizita nëpër kompani, do të realizohen edhe kampanja vetëdijesuese nga lëmia e sigurisë dhe shëndetit në punë”, është shprehur Dukolli.

Por, ai ka apeluar edhe te punëdhënësit që të ofrojnë kushte të sigurta të punës dhe po ashtu edhe vet punëtorët të kujdesen të përdorin mjete mbrojtëse në punë.

Por në anën tjetër, familjet që humbin të afërmit e tyre në vendin e punës nuk marrin mbështetje financiare në qoftë se nuk iniciohet procedura gjyqësore nga vet ata.

Këtë e ka thënë për “Indeksonline” edhe vet Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi.

“Sa i përket çështjes së dëmshpërblimit, kjo është çështje e inicimit te procedurave gjyqësore nga vetë palët dhe rrjedhimisht është kompetencë e gjykatës”, është shprehur Ibrahimi.

Në anën tjetër, janë të rralla ato kompani që marrin iniciativën për të mbështetur financiarisht familjet që humbin të afërmit e tyre. Një rast i rrallë është ai i kompanisë ku punonte, Shefqet Fetahaj nga fshati Raushiq i cili humbi jetën aksidentalisht kur makineria me të cilën punonte ia preu dorën në një kompani betoni në Pejë.

Indeksonline pati marr vesh se kjo kompani do t’i ndërtojë një shtëpi familjes Fetahaj që humbën djalin dhe po ashtu të ju ofrojë një pagë mujore.

MUND TË JU PËLQEJNË