Deklarata e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj në emisionin Pressing të Televizionit 7 për largim të ambasadorit të Zvicrës pas deklaratës për veteranët ka ngjallur reagime në vend, e nuk janë të paktë ata që kanë kërkuar nga kryeministri shkarkimin e Lekajt.

Lekaj e ka konsideruar të papranueshme deklaratën e ambasadorit zviceran Jean Humbert Lebet që kishte thënë në Skenderaj se shteti i tij po e ndërton ujësjellësin derisa Kosova po paguan veteranë të rrejshëm.

Madje ministri ka kërkuar edhe largimin e Lebet, duke thënë se ndihet i fyer nga deklaratat e ambasadorëve në vend.

“Nuk është ambasadori për me u marrë me ato. Publikisht para qytetarëve është e pakuptimtë me e lidhë një investim me një temë të ndjeshme, me veteranët e luftës. Sikur t’isha ai që marrë vendime, sot ia kisha qu letrën e largimit”, ka thënë ministri Lekaj, transmeton Gazeta Express.

Ministri nuk është mjaftuar me kaq, për ambasadorët e vendit ka drejtuar edhe tjera ofendime.

“Një ambasador i di përgjegjësitë e tij. Janë bërë si fëmija. Kujt t’i teket të na thotë çkado edhe të mos kenë përgjegjësi mbi ata që e thonë”, deklaroi Lekaj në T7.

Por, kjo deklaratë e Lekajt, ka marrë reagime të shumta nga fytyra të njohura në vend, e madje e kanë komentuar edhe qytetarët të cilët kanë kërkuar shkarkimin e tij.

I pari që i reagoi Lekajt, ishte ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë Veriore, Gjergj Dedaj. Ai i ka dal në mbrojtje ambasadorit zviceran, duke thënë se ka pasur të drejtët në deklaratat që i ka bërë

“Ambasadori i Zvicrës, në Kosove, Sh.T.Jean Humbert Lebet, ka të drejtë”, ka shkruar Dedaj.

Ashpër ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veseli, Blerim Latifi.

Duke thënë se partinë e kryeministrit, AAK-në, e ka “tranu” pushteti, e deklaratat e Lekajt i ka cilësuar si shpallje të mikut armik.

“Që do të thotë se fisi dhe klientela partiake nuk pyesin për ligj e barazi para ligjit. Një tjetër thotë se po të ishte në dorën e tij sot do ta dëbonte nga Kosova ambasadorin e Zvicrës. Që do të thotë se kemi ardhë deri aty sa edhe mikun, që ta thotë të vërtetën, me shpallë armik të shtetit. Një tjetër… S’po vazhdoj më tutje, se janë shumë. Kryeministër a je kun? Afroj pak mashkujt se janë duke ta marrë ftyrën ty, e tanë Kosovës”, është shprehur këshilltari i Veselit.

Në anën tjetër, anëtari i Vetëvendosjes, Ylli Hoxha ka shkruar përmes Facebook’ut, se është mirë që nuk pyetet ministri për këto punë, se do ta katranoste punën.

Në formatin e revistës “Lirindja” edhe dizajneri grafik Gurakuq Dobruna i ka kushtuar një ballinë kësaj teme duke ilustruar edhe ndihmën e Zvicrës ndaj Kosovës.

“Mos harro asnjëherë dikë që të ka ndihmuar kur të tjerët po justifikoheshin”, ka shkruar Dobruna.

Qytetarët në anën tjetër kanë shpërndarë disa statuse në Facebook derisa kanë kërkuar edhe shkarkimin e tij.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet është treguar i ashpër në Skenderaj me politikanët kosovarë.

Ai ka përmendur numrin e veteranëve, duke thënë që nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm, e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët./GazetaExpress

 

MUND TË JU PËLQEJNË