Për shkak të mungesës së gjinekologut, shumë paciente foshnjat e tyre i kanë lindur rrugës për në spitalin e Gjilanit.

Shejzije Morina, e cila kohë më parë dy fëmijët i kishte lindur në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kamenicë, e sheh si të nevojshëm funksionalizimin e shërbimit të maternitetit.

“Normal që është shumë e nevojshme… është e nevojshme për kontrolle për gjithçka..”, thotë Morina.

Të njëjtin mendim ka edhe Hanife Berisha. Ajo thotë se për çdo kontroll detyrohen të shkojnë në spitalin e Gjilanit.

“Shumë është e nevojshme shumë…”, deklaroi , Berisha.

Krejt çfarë ka mbetur brenda këtij korridori në Shërbimin e Maternitetit, janë disa fotografi ku tregohen shenjat e rrezikut gjatë shtatzënisë.

Mënyra e të ushqyerit me gji për foshnjën, janë disa informacione tjera që kanë mbetur të vendosura në muret e këtij objekti.

Ylber Thaçi, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kamenicë, thotë se nuk kanë kuadro të mjaftueshëm për të mbajtur në funksion maternitetin.

“Në fakt ekziston kjo qendra… kjo është mbyllë që….”, ka bërë të ditur Thaçi.

Thaçi tregon se për të pranuar një gjinekolog kanë hapur edhe konkurse. Mirëpo një konkurs i tillë ka dështuar, pasi nuk është paraqitur askush.

“Është shumë e dëmshme… po faktikisht ne dy herë kemi pas konkurs që…në fakt nuk e kemi…”, ka bërë të ditur Thaçi.

Një problem tjetër, sipas tij, është edhe ndarja e specializimeve.

Ndërkohë, sipas udhëzimit administrativ nr.08/2017 për organizimin, strukturën dhe përcaktimin e shërbimeve e veprimtarisë së institucioneve të kujdesit parësor shëndetësor, neni 14, pika 2, obligon që në QKMF-të ku funksionojnë maternitetet, të kenë gjinekolog dhe neonatolog ose pediatër.

Më tutje, Thaçi thotë se më herët kanë pasur një marrëveshje me spitalin e Gjilanit, me ç’rast për një kohë të caktuar merrnin nga një gjinekolog, por për shkak të një problemi është ndërprerë bashkëpunimi mes tyre.

Ditë më parë, në Kamenicë ka ndodhur një lindje jo e zakonshme ku në tregun e këtij qyteti, Xhejlane Mehmeti, lindi fëmijën e saj të gjashtë.

E në tezgat e këtij tregu ende gjenden njollat e gjakut, ku 28-vjeçarja lindi foshnjën e saj. Bashkëshorti i saj ka thënë se bashkëshortja nuk kishte pranuar të shkonte te mjeku as në Kamenicë e as në spitalin e Gjilanit.

Ndonëse, në rrethana të pazakonta është kryer kjo lindje, gjendja shëndetësore e nënës dhe fëmijës është stabile.

Kështu thotë, Lavdim Syla, specialist në QMF në Kamenicë, i cili edhe kishte vizituar lehonën në shtëpinë e saj.

Ndërkohë, për zgjidhjen e problemit për shërbimin e maternitetit në QMF në Kamenicë, Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, thotë se kjo është kompetencë e Komunës.

Hoti thekson se problemi kryesor qëndron që edhe komunat e kanë problem të gjejnë një gjinekolog të punojë në këto qendra.

MUND TË JU PËLQEJNË