Jeta Neziri është gjashtëmbëdhjetëvjeçare, por pikturat e saj artistike, me motive të ndryshme nga jeta dhe natyra, i japin një personalitet të pjekur arti, shkruan “Kosovarja”.

Jeta Neziri, nga fshati Gaçkë i Ferizajt, është nxënëse e klasës së tretë të shkollës së mesme të artit “Çesk Zadeja” në Ferizaj. Sivjet e përfundon shkollën e mesme të artit dhe synimi i saj parësor është ta vazhdojë artin në Prishtinë.

Në bisedë për Portalin tonë, “Kosovarja”, Jeta ka shpalosur botën e saj prej artisteje dhe ka thënë se ajo e do pikturën dhe skulpturën dhe bota e tillë është rruga e saj e ardhme.

“Pikturoj që nga mosha nëntë vjeçe, kur edhe kam filluar punën që la mbresa te piktorët. Qysh nga ajo kohë jam në bashkëpunim me profesorin e nderuar Alaudin Elezin, te i cili edhe ndjekë kurset krahas shkollimit në Ferizaj.

E dua edhe skulpturën, por piktura është bota ime krijuese, të cilën mendoj ta përsosi në të ardhmen”, thotë Jeta.

Jeta, edhe pse shumë e re në moshë, ka prezantuar shumë piktura në ekspozita të ndryshme të organizuara në Kosovë dhe aktualisht është emri që më së shumti lakohet në artin modern të pikturës në Kosovë.

Mund të thuhet se Jeta Neziri është një emër që po vjen dhe që pritet të jetë piktore edhe jashtë kufijve të Kosovës.

Punimet e saj janë ekspozuar në Galerinë e Arteve të qytetit në Ferizaj dhe në “Bondsteel”, por ka edhe dhjetëra piktura që i ka shitur në Zvicër.

Disa nga punimet e Jetës po i prezantojmë në portalin tonë “Kosovarja”, meqë mendojmë se vërtet e meritojnë. S. Krivaça /Kosovarja/

 

MUND TË JU PËLQEJNË