Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregull, të pestën me radhë, ka shqyrtuar dhe miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2020-2023. Programi identifikon prioritetet qeverisëse brenda mandatit kushtetues të kabinetit aktual qeverisës si dhe orientimet e veprimit dhe objektivat e synuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë mandatin për t’iu përgjigjur pritshmërive dhe synimeve të qytetarëve të vendit, për ndryshime gjithëpërfshirëse në Republikën e Kosovës. Kështu që, në përputhje me kërkesat dhe nevojat qytetare paraqesim programin, i cili besojmë se është bazë e fuqishme e bashkimit të energjive institucionale dhe vullnetit të qytetarëve të vendit. Njëkohësisht, Programi i Qeverisë është dokumenti themelor, me të cilin Qeveria komunikon vizionin e saj para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky program bazohet drejtpërdrejt në Marrëveshjen e Koalicionit.

Programi i Qeverisë pasqyron qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes, sikurse dhe prioritetet themelore, iniciativat dhe vendimet që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend në të gjitha fushat e përgjegjësisë. Në përputhje me marrëveshjen e koalicionit ndërmjet partnerëve qeverisës, qeverisja do të fokusohet në përmirësimin e gjendjes në ato fusha, ku nuk ka progres të ndjeshëm, si në: drejtësi; ekonomi dhe punësim; arsim; shëndetësi; siguri; integrime euro-atlantike dhe mjedis.

Programi i Qeverisë pasqyron po ashtu, orientimet e përgjithshme të Qeverisë, për sa i përket agjendës së integrimit evropian dhe politikës së jashtme. Programi i Qeverisë transmeton frymën demokratike dhe pluraliste të vendit, që siguron kompletimin e procesit të shtet bërjes dhe integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në kuadër të institucioneve rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

Pas shqyrtimit është miratuar edhe Koncept dokumenti për Reduktimin e barrës administrative (reduktimi i burokracisë). Sipas Koncept dokumentit, është vlerësuar me rëndësi shumë të madhe korniza politike e mjedisit ligjor për zhvillimin e bizneseve dhe investimeve.

Ky Koncept Dokument adreson në veçanti çështjen e përmirësimit të cilësisë së legjislacionit në lidhje me efikasitetin e zbatimit të kërkesave ligjore ekzistuese. Kjo përfshinë si cilësinë e dispozitave ligjore, që sigurojnë bazën për zbatimin e tyre, ashtu dhe aranzhimet e zbatimit si të tilla. Praktika më e mirë ndërkombëtare, e shpjeguar më në hollësi tutje në këtë dokument, është që të përmirësohet cilësia e legjislacionit për të nxitur rritjen ekonomike.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar në parim nismën për lidhje të marrëveshjes për heqjen reciproke të vizave për pasaportat diplomatike dhe zyrtare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Islamike të Pakistanit. Përfaqësuesit e të dy qeverive do të zhvillojnë negociata për finalizim të kësaj marrëveshjeje në përputhje me legjislacionin në fuqi. Marrëveshja synon që të konfirmojë marrëdhëniet e mira midis dy vendeve si dhe avancimin e tyre dhe të lehtësojë udhëtimin e personave me pasaporta diplomatike dhe zyrtare midis të dyja vendeve.

Miratimin nga kabineti qeveritar e ka marrë edhe nisma për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), për financimin e projektit “Rritja e kapitalit garantues të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore”. Ministria e Financave dhe Transfereve, përgjatë negocimit të kësaj marrëveshjeje do të procedojë konform dispozitave kushtetuese dhe Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare por edhe në pajtim me dispozitat ligjore në Republikën e Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është emëruar z.Naim Gashi në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Vendimi për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për zgjatje të afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi” është miratuar sot në mbledhje të kabinetit qeveritar. Vendimi obligon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit që të ndërpres negociatat me konsorciumin Bechtel-Enka për ndërtimin e lidhjeve të reja dhe të një mbikalimi. si dhe të bëjë vlerësimin e dëmeve që mund të ketë prodhuar ky vendim i shfuqizuar.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar dy vendime për emërim të përkohshëm të bordeve të ndërmarrjeve publike qendrore: Telekomi i Kosovës sh.a. dhe “Trepça” sh.a.. Mandati i këtyre bordeve do të zgjasë më së shumti gjashtë muaj ose deri në emërimin e bordeve me mandat të plotë sipas ligjit.

Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është miratuar vendimi për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare për kompanitë që janë listuar në listën për sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian.

MUND TË JU PËLQEJNË