Granit Paçarizi, i cili është në mesin e tre personave, të cilit presidenti i vendit Hashim Thaçi i fali 1 vit nga dënimi me burg, është i afërt edhe me zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në rrjetin social Facebook, Paçarizi ka fotografi në të cilat duket bashkë me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli e kryetarin e Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj.

Granit Paçarizi ishte përfshirë në një përleshje masive në vitin 2013, ku kishte edhe persona të plagosur nga arma e zjarrit.

Paçarizi ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje për çka edhe ishte shpallur fajtor mirëpo prokurori e kishte rihapur rastin duke e akuzuar për të dytën herë Granit Paçarizin, mirëpo, kësaj radhe për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

Granit Paçarizi në ndërkohë kishte ndihmuar në zbulimin e një rasti të korrupsionit.

Ai kishte filmuar një takim me shoferin e prokurorit nërsa dyshimet për korrupsion në Prokurorinë e Prizrenit, të ngritura nga Paçarizi dhe familjarët e tij, bën që prokurori i krimeve të rënda Bajram Hamitaga të suspendohej nga detyra nën dyshimet se kishte kërkuar 5 mijë euro ryshfet.

Pas akuzës së dytë, reaguan familjarët e Paçarizit duke e akuzuar prokurorin Hamitaga se këtë e ka bërë në shenjë hakmarrje ndaj tyre, pasi që ata nuk kishin pranuar t’i jepnin pesë mijë euro, të cilat ata thonë se prokurori ua kishte kërkuar borxh, pasi djalin e kishte të sëmurë.

Sipas Granit Paçarizit, prokurori Hamitaga ia kishte kërkuar të hollat babait të tij, Sadri Paçarizit, pasi prokurori e kishte dërguar një kositëse bari për ta ndrequr te Sadriu.

Babai i Granit Paçarizit, Sadriu kishte treguar për takimet me prokurorin Hamitaga gjatë kohës që prokurori po hetonte djalin e tij. Sadriu thotë se prokurori ua kishte kërkuar pesë mijë euro borxh me arsyetimin se e kishte djalin e sëmurë./kallxo

 

MUND TË JU PËLQEJNË