Ikja e njerëzve që i ke njohur nga afër dhe me të cilët ke ndarë kohë dhe kujtime, ikja e tyre në rrugë pa kthim, është një moment prekës i kujtesës dhe përditshmërisë, që të bën të meditosh dhe reflektosh mbi gjurmët e njeriut në jetë në mes të të gjallëve.

Ky meditim dhe reflektim më shoqëroi kur mësova se u nda nga jeta Irfan Blakqori, njeri i thjeshtë, por me shpirt e zemër të pastër, fisnik e bujar, me zërin e këngët e tij unike në skenën tonë muzikore.

Fjalët m’i merr dhimbja për të, duke na lënë pas një emër, një zë të pëlqyer e të dashur gjithandej.

Teksa më shfaqet para syve në ekranin e kujtesës qëkur doli në skenën muzikore, shpejt e përvetësoi publikun e shumtë dhe u bë i kërkuari i asaj kohe.

Fani, siç e quanim ne, shokët e tij, u bë një njeri që ka një individualitet, ka një kitarë në sup, ka një melodi, ka një mesazh, mesazhin e brezit të vet…

E, këtë mesazh e shprehu në vargjet e tij, në më shumë se 200 këngëve, të cilat i shkroi, por edhe i këndoi.

Nuk harrohen dot këngët e tij: “Pse ike”, “Qajë moj Nanë”, “Antigona”, “Zogu i plagosur”, “Sot është ditëlindja jote”, “Dashuria në tren”, “Ti je jeta ime”, “Unë të dua”, e shumë të tjera, të cilat prej se u lansuan, mbeten hite të paharruara e të kënduara edhe tash nga këngëtarë të tjerë.

I dashur Fan, për ty ka çka të shkruhet. Madje, edhe më shumë se shumë. Ka çka të shkruhet për zërin tënd të veçantë, për tekstet tua, po ashtu të veçanta, për meloditë, me të cilat u jepje shpirt vargjeve…

Por, ja që kësaj radhe fjalët po më mbesin në fyt nga dhimbja…

Dhe, e çuditshme jeta – nuk e kam pritur se do vij kaq shpejt ikja jote nga kjo jetë, së cilës i këndove deri në çastet e fundit…

“I lodhur nga jeta”, kështu e titullove përmbledhjen e këngëve tua pak para ikjes sate nga kjo botë.

E, s’mund pa e përmendur, i dashur Fan, ty ta “shpejtuam” ikjen të gjithë nga pak, ca naivë e ca hipokritë; që s’të kuptuam, s’të dëgjuam, s’të njohëm mirë, s’ta lexuam heshtjen, s’ta gjetëm “adresën”, s’ta kapëm ritmin edhe kur ti ecje me kitarë në supe, sikur doje të thoshe – ja ku jam tani, në Kosovë, me ju…

Sepse, 15 vjet jetove në Belgjikë, atje tek të zihej fryma pa ajrin e Kosovës, pa famën, pa këngën, pa ndejat me miq, pa u kënaqur…

Gëzimi yt për kthimin në Kosovë shihej edhe gjatë ndejave private, tek krijoje atmosferë të paharruar, çaste që edhe sot t’i kujtojmë me dhembshuri, po edhe me krenari që të patëm…

Në kujtim të paharruar, jo vetëm tek unë, kanë mbetur netët që i bënim pranë oxhakut të odës së mikut tonë, Enver Krasniqit, në Fushë Kosovë, e që tash pendohem pse nuk i gjironim gjithë ato këngë që i këndoje si askush tjetër.

Por, kujt do i shkonte mendja se vdekja do të të marrë shpejt, ani pse sikur na e bëje me dije me tekstin “Jam i lodhur nga jeta”.

E, kjo këngë, si dhe të gjitha ato që i këndove për dyzet vjet, janë e do mbesin në fondin e artë të muzikës sonë shqipe.

Dhe, derisa i shkruaj këta pak rreshta, më kujtohen fjalët tua: “Gjatë gjithë jetës, karrierës sime, kam kënduar dhe këndoj vetëm shqip, shqip, shqip”.

Me këtë rast, po i publikoj disa xhirime e këngë të bëra në odën e Enver Krasniqit, të cilat tregojnë ç’zë kishte edhe pak ditë para vdekjes…

Imi mik Fan, e bëre veten – i dënuar, që përjetësisht të të kujtojmë e të falënderojmë për këngët e bukura që na i le… /Gani Dili/.

MUND TË JU PËLQEJNË