E takuam në vitin 2015 në xhaminë “Isa Beg” në qendër të Mitrovicës. Po merrte abdes për ta falur namazin e drekës. Imami i xhamisë më të madhe në Mitrovicë, nuk ishte vetëm një hoxhë predikimi kuranor, por edhe një politikan i jashtëzakonshëm, që kishte punuar politikisht për kombin, qëkur ishte nënkryetar i Bashkësisë Islame të Jugosllavisë, shkruan “Kosovarja”.

Profesor Mulla Asllan Murati, që ndërroi jetë para dy ditësh, la pas vetes një bagazh veprash patriotike.

Me rastin e vdekjes së tij, po i evokoj disa nga momentet e takimeve me të, e që ishin të shumta dhe tepër miqësore.

Prof. Mulla Asllan Murati ishte pensionuar, edhe pse e kryente punën e imamit në xhamin “Isa Beg” në Mitrovicë.

Tek merrte abdes pranë tij figuronte i hapur libri shumë voluminoz i filozofit dhe shkrimtarit Gete me titull “Gete dhe Islami”.

Ishte një diçka tjetër që prof. Mulla Asllanin e kishte detyruar në një mënyrë të qëndronte në xhami.

Dhe, profesori i nderuar, më në fund, e konfirmoi arsyen pse qëndronte në xhami, edhe pse ishte pensionuar.

Tha se ishte aty për ta penguar pushtimin e xhamisë nga njerëzit me mjekra, që po bëheshin modë e kohës së mbrapshtë!

Nëse e analizojmë atë që tha Mulla Asllan Murati, në prani të ekipit tonë, kjo del kështu:

“Nuk kisha me qenë tash këtu si pensionist në xhami, por po e ruaj xhaminë nga pushtimi i djemve me mjekra… Dua që xhamia të mbetët me xhematin e pastër të islamit tradicional dhe kuranor.

Kjo gjë më ka bërë të qëndroj këtu”, e përsëriti disa herë hoxha, që i ruajti 17 vjet eshtrat e Isa Boletinit në xhami, e herë-herë edhe në shtëpinë e tij dhe në arkën prej hekuri, që e varrosi në varrezat e Zhabarit, për të pritur të varroseshin ato në kohë lirie me ceremoni e nderime ushtarake, që do ia bënte shteti i Kosovës.

Modest në jetë, i zoti në punën kombëtare!
I njohur në masën popullore si “Hoxha i Zhabarit”, Mulla Asllani kishte vizion të jashtëzakonshëm përparimtar patriotik dhe kombëtar.

Punët për popullin dhe lirinë e kishin bërë të afërt me Profesor Latif Berishën, i vrarë në shtëpinë e tij më 1999, nga “dora e zezë” e grupeve kriminale serbe që vrisnin veprimtarët në kohën e masave të dhunshme serbe në Kosovë.

Atë që nuk kishte mundur ta bënte politika e kohës as në komunizëm, e kishte bërë Mulla Asllan Murati, ndërsa rezultati nuk ishte hiq më pak se t’i sillte eshtrat e Isa Boletinit me të bijtë dhe bashkëluftëtarët e afërt nga Mali i Zi, në vendlindjen e tij në Boletin.

Ideja ishte e Dr. Ibrahim Rugovës, liderit historik të Kosovës. Strategjia e sjelljes së eshtrave të Isa Boletinit duhej të përpilohej nga vetë Mulla Asllani.

Ai e kishte pranuar detyrën dhe më 6 maj 1998, kishte shkuar në Mal të Zi dhe e kishte takuar Idriz Demirin, me të cilin kishte punuar tetë vjet në Bashkësinë Islame të Jugosllavisë.

“Misioni ishte i rëndë”, tha Mulla Asllani dhe shtoi: “Fadil Hoxha kishte dështuar t’i riatdhesonte eshtrat e Isa Boletinit në vendlindje. Malazezët thoshin se Isa me djem dhe bashkëluftëtarë ishin vrarë në pabesi, çka ishte thyer kodi moral malazez dhe eshtrat nuk mund të jepeshin!”.

Mulla Asllan Murati, nëpërmjet Bashkësisë Islame të Malit të Zi, depërtoi në politikë, i mori eshtrat e Isa Boletinit dhe i solli fshehtazi në Mitrovicë.

Por, puna nuk ishte kryer me kaq. Ai kishte edhe shumë detyra të rënda para vetes. Në atë kohë ndjehej erë baroti në Kosovë.

Në prag të luftës Mulla Asllani mori detyrën e shenjtë që t’i ruante eshtrat e Isës, që të mos binin në duart e policisë së Serbisë…

Fillimisht i varrosi në xhami, pastaj në varrezat e fshatit dhe, kur dikush preku aty duke luajtur gurin e varrit, hoxha me djem i nxori dhe i solli në shtëpinë e vet.

Pas 17 vjetësh eshtrat e Isës ia dorëzoi Avni Kastratit, kryetar i Mitrovicës, ku edhe pasoi riatdhesimi i eshtrave të Isa Boletinit me djem dhe bashkëluftëtar, në një tubim madhështor, e që i tuboi të gjitha viset shqiptare në Mitrovicë…

Beogradi e ndiqte hoxhën ta likuidonte si Latif Berishën
Atë ditë që ndenjëm me Mulla Asllan Muratin, na tregoi se ishte përndjekur vazhdimisht nga Beogradi që ta likuidonin si Latif Berishën.

Pesë vetë e dinin ku ishin eshtrat e Isa Boletinit dhe kishin dhënë besën të mos tregonin.

Kur e vranë Latif Berishën prisja që do më vrisnin edhe mua. Polici, Ratku, veç më kishte kërkuar në shtëpi.

Dhe, i ndrojtur se do më vrasin, një të pranishmi, në varrimin e Latif Berishës, i thashë:

“Nëse më vrasin mua, ky është varri ku ruhen eshtrat e Isa Boletinit!”.

Po ato ditë ishte luftë masive. Mua ma dogjën shtëpinë dhe në shtëpi u ktheva pas përfundimit të luftës.

E fala namazin e drekës brenda mureve të shtëpisë së djegur, duke mu dhimbsur më së shumti biblioteka që kisha 2300 libra. Kur u shpall Pavarësia e Kosovës, kam folur me Isa Boletinin. Shkova te varri i tij dhe i thashë:

“O Isa Bej, ti që sakrifikove jetën, familjen dhe pasurinë për idealin më të shenjtë jetësor, Kosova sapo shpalli Pavarësinë! Prandaj, pusho i qetë se t’u plotësua dëshira dhe synimi yt!”.

Fill pastaj u zhgreha në vaj. Mu duk se ia dhashë një mesazh të zëshëm atij që priste ta merrte këtë informatë, në mënyrë që të pushonte i qetë në varr”, ishin fjalët e Profesor Mulla Asllan Muratit në xhaminë “Isa Beg” në Mitrovicë, në vitin 2015. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË