Po vazhdon aktiviteti i bamirësisë së Shoqatës Humanitare “Jetimat e Ballkanit”. Falë kësaj shoqate, Spitali i Përgjithshëm në Prizren është bërë me Repartin për pacientët ditor. Udhëheqësi i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, premtoi që së shpejti do të bëhet edhe Reparti i Radiologjisë në Spitalin e Prizrenit.

Spitali i Përgjithshëm në Prizren tani e tutje do ta këtë repartin për pacientet ditor, raporton RTV Dukagjini.

Kjo hapësirë prej 350 metra katrorë, është rinovuar nga shoqata humanitare “Jetimat e Ballkanit”. Udhëheqësi i kësaj shoqate, Halil Kastrati, pasi bëri përurimin e kësaj hapësire, tha se është parë urgjente t’u dilet në ndihmë këtyre pacientëve.

“Për shoqatën tonë sot është një ditë e veçantë. Jemi shumë të lumtur që kemi arritur të finalizojmë këtë projekt. Drejtorit dhe gjithë stafit iu urojmë punë sa më pak, pra të kenë sa më pak pacientë…Një falënderim i veçantë për të gjithë donatorët që kanë ndarë mjetet për këtë projekt”, deklaroi Halil Kastrati.

Kastrati i cili njihet për punën humanitare ka premtuar edhe investime të tjera. Ai tha së shpejti këtij institucioni shëndetësor do t’i shtohet edhe Reparti i Radiologjisë.

“Ne jemi në vazhdimësi në biseda me drejtorin e spitalit dhe kemi një projekt tjetër për vitin e ardhshëm, kështu që do të flasim vitin e ardhshëm kur të përfundoj ai projekt”, shtoi më tej Halil Kastrati.

Drejtorit i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Afrim Avdaj, tha se pacientëve do tu ofrohet kujdes më i veçantë.

“Tani e tutje, qytetarët e Prizrenit dhe më gjerë do të marrin shërbime cilësore. Do të marrin edhe shërbime të veçanta që deri më tani nuk janë marrë. Bëhet fjalë për terapinë kundër dhimbjes që deri më tani nuk e kanë marrë. Ne e kemi një aneziolog të trajnuar që është anëtarë i Federatës Evropiane Kundër Dhimbjes”, deklaroi Afrim Avdaj.

Sipas Halil Kastratit, ky objekt do të jetë i pari në nivel të Kosovës që ka Repart ditor për pacientët e Regjionit të Prizrenit. /Telegrafi/

MUND TË JU PËLQEJNË