Njeriu edhe hajnit i thotë faleminderit! T’i vjedhë paratë dhe ia bën hallall nëse t’i kthen dokumentet… Sepse, shteti ynë jeton me ta. Madje, mu ata që e ruajnë shtetin e dinë se pasi hajnat i vjedhin çantat, dokumentet i hedhin në ndonjë qosh të rrugës! Pastaj, ato dokumente përcillen në polici ku mund t’i merr klienti.

Filmat orientalë po shikohen në Kosovë me të madhe dhe televizionet e kanë gjetur veten në këtë “mision” shikueshmërie.

Po të mos ishin filmat e tillë, televizionet tona nuk do të shikoheshin në masën sa shikohen tash.
Gruaja ime i shikon serialet turke dhe një ditë, teksa po e shikonte njërin prej tyre, në kohën kur luhej ndeshja ndërkombëtare e futbollit ndërmjet Kosovës e Maltës, i bëmë dy televizorë në sallonin e shtëpisë.

“Ndërroje kanalin grua e qitma futbollin!”, i thashë.

“Le që je bërë dembel, por edhe nuk po sheh se jam kah e shikoj serialin!”, ma ktheu ashpër.

“Ç’lidhje ka kjo?”, e pyeta unë.
“Është një ngjarje për dashuri dhe normalisht që ka shumë lidhje. E, çka ka lidhje futbolli yt, ku çdo ditë shikon futboll?! Të është mbushur koka vetëm futboll!”.

Kur Presidenti flet vetëm për suksese!

“Mirë e ke, sepse më për dashuri nuk flet askush, pos në serialet tua. Madje, edhe presidenti është çoroditur dhe po flet vetëm për suksese, thuajse e ka bërë nami…

Mirë do të ishte ta ndërronte temën edhe presidenti, sepse vetëm po lavdërohet dhe nuk e dëgjon më askush. Kjo i është bërë përditshmëri dhe kam bindjen se as populli nuk i beson… Sepse, kur ai po vetëlavdërohet, disa prej deputetëve po i shtrembërojnë buzët në stilin alla katundarçe.

Kur në katund dikur si pëlqente dikujt diçka kur flisnin, ata që ishin përreth i shtrembëronin buzët. Nuk e kundërshtonin me fjalë, por me buzë tregonin se ai që fliste tregonte përralla… Andaj, edhe fjalët e Hashimit nuk kanë të ndalur.

Tani e kam bindjen se sa më shumë që po lavdërohet ai, aq më shumë kundërshtarë po bën. Sa më shumë po lavdërohet, aq më shumë po kuptohet se ai po bie nga respekti.

Nëse një burrë lavdëron veten, i bie sikur ezani i imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, të cilin më mirë është të mos e dëgjosh fare kur e thirr ezanin, sepse e thërret aq keq dhe pa lidhje sa nuk të qon mall hoxhe.
A thua, a janë budallenj imamët e tjerë që e lëshojnë ezanin nga CD-ja?

Nuk janë budallenj, por kur e dëgjon ezanin e tyre, reflekton simpati e jashtëzakonshme për fenë”, i thashë gruas, e cila në ato çaste as që kishte qenë duke më dëgjuar.

Unë futbollin, gruaja serialin!

Nejse, e nisëm me diçka tjetër dhe dola dikur tjetër… Prandaj, të kthehem përsëri te gruaja. Ajo filmin – unë futbollin!

E mora televizorin nga dhoma tjetër dhe e vendosa pranë televizorit tjetër. Dy televizorë në një dhomë, madje mbi të njëjtën tavolinë… Unë futbollin ajo serialin turk!

“Uh, po kollaj paska qenë ta zgjidhim problemin!”, i them gruas, “Për pak s’u zumë, e zënka kushedi çfarë do të kishte pasuar: shi, breshër a borë!”, i thashë unë.

“Edhe unë do ta kisha dëgjuar presidentin po të fliste edhe për dashuri dhe jo vetëm për sukseset e tij, thuajse Kosova është bërë xhenet!”, më thotë ajo me zë të lartë.

“Po, ama, si të flet për dashuri i pari i shtetit, grua?!”, i them unë.
“Epo, nëse do ta dëgjojë dikush le të flasë për aso teme, se për lavdet as ministrat e tij nuk po e dëgjojnë më”, më thotë ajo.

“Po flet kështu për presidentin, grua?! Ti vetë ia ke dhënë votën sa herë është votuar për partinë e tij! E, tash çka po ndodhë me ty?!”, ia ktheva unë.

“Asgjë nuk po ndodh, por Kosova gjithnjë e më shumë po varfërohet, papunësia po shtohet, njerëzit po ikin…
Në anën tjetër, çmimet në qiell! Pagat askund e shpenzimet si në Evropë! E, besa më nuk do ta votoj, sepse prej tij s’ka hajr”.

“Dikujt duhet t’ia japësh grua!”, ia ndërpres fjalën unë.

“Po, dikujt po, por atij jo…”.

“Eh, mirë që i ke ra pishman se kur të thoshte shoqja jote jepja Isës, ti thoshe jo se Hashimi më bukurosh… Ja pafsh jarin, pra!”.

Shteti me hajna

E enjtja që e lamë pas ishte një ditë si zakonisht.

“Ditë e re, fat i ri, thotë mileti, apo jo grua?”, i thashë sapo u zgjuam kur ajo po i bënte kafetë e mëngjesit.

“Po, ashtu thonë, vetëm se një fjalë duhet ndërruar… Fjalën milet e bëjmë popull”, më thotë ajo.

“Eh, mendova se më lehtë e kupton ti, meqë po i shikon filmat turk, por ke të drejtë. Edhe Fan Nolin e kishin pas kritikuar me përdorim të tepruar të fjalëve të huaja në poezi, sepse po të kishin shkruar të gjithë si ai, do ta kishin vënë në rrezik gjuhën shqipe”.

“A ja nise me filozofua, a?!”, ma ktheu me ironi.

“E lëmë me kaq: “Dita e re, fati i ri”. Ama, nuk i dihet jetës. Në vend të fatit shumë herë vjen diçka tjetër, sikur në poezinë e poetit arbëresh Vorea Ujko, ku vajzës që priste vdekjen i kishte shkrepur fati i mrekullueshëm”.

“Ti me poezi e nisë ditën, si presidenti ynë me lavde për shtetin tonë!”, me ironi ma kthen ajo.
Nejse, ajo shkon në punë me veturë, kurse unë në punë me veturën time.

Pas orës 12 më bën telefon dhe më tregon se hajnat ia kanë thyer veturën. Ia kanë marrë çantën me çdo gjë që ka pasur në të: paratë, dokumentet personale, ato të veturës… Plus xhami i thyer i veturës…

Në vendin e ngjarjes kishin arritur dy a tri vetura të policisë dhe shumë policë.

“Pas asaj vjedhje qëndron dikush i njohur, grua!”, i them unë. “E ke parë edhe vetë sa shumë policë erdhën aty, thuajse ka ndodhur kushedi çka…”.

“More, lëri ti policët se ata nuk do t’i kapin kurrë hajnat, por mbase hajnat m’i hedhin dokumentet se paratë po ua bëj hallall!”, ma ktheu ajo.

“Eh, tani ke folur mirë, grua! A po e sheh si ndërrojnë kohët?! Kemi ardhur në pozitë t’i falënderojmë hajnat: Edhe ta thyejnë veturën, edhe të plaçkitin çdo send, edhe u je mirënjohës vetëm po t’i lënë dokumentet diku!

Edhe ky është shtet, them me vete. Shtet në të cilin nuk guxon ta lësh veturën në parking, nuk guxon të lësh asgjë në veturë, nuk guxon t’i lësh në të dokumentet, sepse më nuk i gjen dot.

Ky është shteti për të cilin flet presidenti ynë…

Rrëfimi i hajnit…

Një ditë, teksa ecja nëpër qytet, pash një djalosh që sillej rreth një veture paksa me dyshim. Kur i thashë se a po e shikon atë veturë që të vjedhë gjë në të, ma ktheu:
“Po vjedhin politikanët e lëre më unë! Po vjedhin ministrat që çdo ditë dalin në televizor e jo unë! Pse unë të mos vjedh kur askush nuk më sheh në televizor, e ata që vjedhin çdo ditë i shohim dhe askujt nuk po i shkon fytyra!”.
“Çfarë përgjigje!”, them me vete.
Replikë se jo mahi!

Dashuria e parë

Pas të gjitha këtyre tollovive, i them gruas:

“Ti po harron se Kosova sot i ka 110 njohje zyrtare. Andaj, nëse fillimi është i keq, fundi do të jetë i mirë”.

“E, kush e pret fundin, ore?!”, ma ktheu ajo me të shpejtë.

“Gjërat e para çdo herë janë më të vështira, por pastaj mësohet njeriu me to. Për shembull, grua, a të kujtohet dashuria e parë? Puthja e parë? Me siguri, këto dy gjëra i kujton me ëndje… të është dukur sikur po ecë nëpër re…”.

“Lëri këto pallavra, alla hile! Po ku sheh gjë të mirë te ne?!”, ma kthen me plot nervozë.

“Eh, duhet t’i kesh sytë e qeveritarëve, moj grua, për të parë gjëra të mira… Nuk mundet çdokush të sheh mirë, bukur! Nuk është pranverë për çdo kënd, por vetëm për ata që dinë të dredhojnë…”, ia ktheva me tallje, sepse e pash se gjërat po thellohen.

Akrepi mbi akrep

Momente të mira janë edhe kur zë syri akrepin e orës mbi akrep. Po, unë, në fakt, qenkam në këtë shenjë horoskopi. Akrep jam. Nuk di çka simbolizon akrepi mbi akrep, por ma kënda t’i shoh akrepat njërin mbi tjetrin…
“Ja me çka ushqehen disa njerëz, edhe me akrepat e orës, si unë… Ndoshta pse kur isha i ri mendoja se po ta shohësh akrepin mbi akrep do të kesh fat në dashuri… Fat në puthje…”, i them unë.

“Po-po, vetëm te dashuria dhe puthja e parë i mbanë mentë ti!”, ma ktheu ajo, me gëzim se më zuri ngushtë dhe s’kam kah t’ia mbaj.

Safet Krivaça (“Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË