Rastet e vjedhjeve në Kosovë duket sikur janë bërë rutinë në spektrin tonë medial. Përditë nga policia raportohet për raste vjedhjesh, ndërkohë që asnjëherë për kapje hajdutësh.

Opinioni kosovar që në ditën e parë të këtij muaji, u ballafaqua me pamjet e një vjedhje masive të bërë në një barnatore në Sllatinë të Fushë Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Ndërkohë që hajnat realizonin aksionin në orët e para të mëngjesit, kamerat e sigurisë regjistronin gjithçka. Siç shihet nga regjistrimet, hajnat boshatisin me shpejtësi e profesionalizëm. Pra, nuk është hera e parë që kryejnë një vepër të tillë penale, ndërkohë që ende janë të lirë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, që nuk dimë të jenë kompenzuar ndonjëherë në ndonjë mënyrë nga shteti.

Kjo vjedhje, i ka kushtuar mbi 53 mijë euro Besartë Seferaj-Kuqi, pronare e barnatores në Sllatinë, e cila prej tre vitesh po punonte pa ndalë, duke sakrifikuar thuajse gjithçka për pak sukses.

Bashkëshorti i Besartes, Granit Kuqi, ka treguar se katër personat të dyshuar kanë hyrë brenda një ore katër herë në barnatoren e tyre, duke marr të gjitha barnat të cilat ndodheshin aty.

“ Vjedhja e parë në bazë të kamerave të sigurisë ka ndodhur saktësisht në orën 04:08. Katër të dyshuarit kanë hyrë katër herë në barnatore. Kanë marr barna, i kanë dërguar diku dhe janë kthyer edhe tri herë të tjera, derisa kanë arritur të marrin të gjitha barnat”, ka thënë Kuqi.

Kuqi ka konfirmuar se janë vjedhur barna në vlerë rreth 53 mijë euro, e gjithashtu edhe para që gjendeshin në arkë.

Ai, ka deklaruar se në polici ka dorëzuar edhe targat e veturës të cilat i ka nxjerr nga kamerat e sigurisë.

“Targat i kam nxjerrë dhe i kam dërguar në polici. Sipas informative që kam pranuar nga policia, personat e dyshuara, këto targa i kanë vjedhur nga një automjet për bartjen e kufomave dhe i kanë vendosur në veturën e tyre”.

Çfarë po ndodh me rastin? Si zakonisht, hetimet vazhdojnë, me shpresën që këtë herë aksioni i policisë të rezultoi me sukses, shkruan “Kosovarja”.

MUND TË JU PËLQEJNË