Nëse jeni shtatzënë, nuk duhet të bëni panik, por patjetër që duhet të mbroheni.

Nëse jeni shtatzënë, tashmë keni aq shumë për t’u shqetësuar: A po ha mjaft? A po ha shumë? Mos harrova të marr vitaminën time këtë mëngjes? A është kjo një dhimbje normale në barkun tim apo diçka më serioze? Dhe e fundit: A po shqetësohem shumë?

Infeksioni me COVID-19 u zbulua për herë të parë në qytetin kinez Wuhan dhjetorin e kaluar. Që nga ajo kohë është përhapur në më shumë se 100 vende.

BuzzFeedNews nëpërmjet një artikulli është munduar të përgjigjet në të gjitha pyetjet që lidhen me shtatzëninë në kohën kur COVID-19 është i përhapur:

A janë shtatzënat më në rrezik të infektimit nga COVID-19 ose në shfaqjen e simptomave të rënda

Fatkeqësisht, si shumë në këtë epidemi, nuk ka ende prova të mjaftueshme. Por, në përgjithësi, dikush që është shtatzënë ka më shumë rrezik për të marrë infeksione virale në rrugët e frymëmarrjes, si gripi dhe të ndjejë ndikimet më rëndë.

Kjo për shkak se shtatzënat kanë sistem imuniteti më të dobët, pasi trupat e tyre po punojnë jashtë orarit për të krijuar një fëmijë. Por, kjo nuk duhet të jetë shkak për alarm.

“Ka disa sëmundje për të cilat gratë shtatzëna janë më të ndjeshme. Dhe ne nuk e dimë tani nëse COVID-19 do të jetë një nga to”, ka thënë Roger Shapiro, një profesor i imunologjisë dhe sëmundjeve infektive në Shkollën Mjekësore të Shëndetit Publik në Harvard.

Çarë ndodh me shtatzënat që janë infektuar me Coronavirus

Sipas një studimi të publikuar muajin e kaluar, nga nëntë gratë shtatzëna që raportohet se janë pranuar në Spitalin Zhongnan të Universitetit Wuhan në Kinë në fund të janarit, shtatë kishin ethe, katër kishin kollë, tri kishin dhimbje muskulore, dy kishin dhimbje të fytit, ndërsa dy raportuan parehati të përgjithshme.

“Asnjë nga pacientet nuk zhvilloi pneumoni të rëndë COVID-19 ose vdiq, më 4 shkurt 2020”, sipas autorëve të studimit. Katër nga nëntë gratë lindën foshnjat para kohe, megjithëse pas javës së 36-të të shtatzënisë. Nuk dihet nëse kjo ishte për shkak të sëmundjes apo jo. Foshnjat kanë lindur relativisht të shëndetshme.

Tri grave tjera shtatzëna, të diagnostikuara me sëmundjen në fillim të shkurtit, lindën në Spitalin Tongji në Wuhan, sipas një punimi të botuar në 25 shkurt. Dy nga gratë kishin ethe dhe njëra kishte kollë; asnjëra prej tyre nuk përjetoi simptomat më të rënda gjatë periudhës së studimit. Të tri foshnjat kanë lindur pa komplikime të mëdha.

Një studim i tretë në revistën Translational Pediatrics analizoi pesë spitale kineze, ku nëntë gra shtatzëna të infektuara lindën 10 foshnje. Simptomat më të zakonshme te gratë ishin kollitja dhe ethet. Ndërsa katër nga foshnjat u lindën me kohë të plotë, gjashtë ishin të parakohshme dhe disa përjetuan gulçim ose ethe. Në fund të studimit, pesë foshnje ishin lëshuar, katër mbetën në spital në gjendje të qëndrueshme dhe një vdiq pasi pësoi dështim të organeve.

A janë foshnjat më të rrezikuara nga sëmundja

Përsëri, nuk ka prova të mjaftueshme për të thënë përfundimisht, por provat e deritanishme tregojnë se foshnjat nuk janë prekur rëndë. Sipas një studimi në Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane që studioi infeksione të hollësishme në nëntë bebe kineze, të gjithë nga një deri në 11 muaj, asnjë nga foshnjat “nuk kërkonte kujdes intensiv ose kishte ndonjë ndërlikim të rëndë”.

Të nëntë foshnjat kishin të paktën një anëtar të familjes të infektuar. “Lajmi me të vërtetë i mirë është që foshnjat nuk duket të kenë sëmundje të rëndë, por ka pasur vërtet të dhëna të pakta deri më tani”, ka thënë Shapiro.

Si ta shmang infektimin për veten ose foshnjën

“Së pari dhe më e rëndësishmja, merrni një vaksinë gripi”, deklaron Shapiro. Gripi është akoma shumë më i përhapur sesa coronavirusi, dhe dihet se përbën një rrezik për gratë shtatzëna dhe foshnjat – shtoi ai.

Foshnjat mund të marrin vaksina gripi duke filluar nga mosha gjashtë muajshe. Për më tepër, ndiqni të gjitha masat e njëjta paraprake që zyrtarët e shëndetit publik po rekomandojnë për popullatën e përgjithshme, duke përfshirë: lani duart me sapun dhe ujë për 20 sekonda, sigurohuni që të lani duart shpesh, shmangni prekjen e fytyrës tuaj, pastroni rregullisht sipërfaqet me sapun dhe ujë ose pastrues me bazë alkooli (të dyja mund të ndihmojnë në shkatërrimin e viruseve) – dhe, mbi të gjitha, shmangni njerëzit që ju e dini se janë të sëmurë.

Çfarë duhet të bëj nëse mendoj se jam e sëmurë – ose nëse fëmija im është i sëmurë

Ju duhet menjëherë të kontaktoni mjekun tuaj përmes telefonit. Nëse jeni shtatzënë, edhe ethet e lehta mund të përbëjnë rrezik për ju ose foshnjën tuaj të palindur.

Foshnjat e porsalindura konsiderohen gjithashtu të prekshme nga sëmundjet. Nëse mjeku e konsideron të përshtatshme, provoni të testoheni si për gripin ashtu edhe për COVID-19.

“Është e rëndësishme të diagnostikoheni herët dhe të monitoroheni”.

MUND TË JU PËLQEJNË