Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn, tha se aktualisht sektori i shëndetësisë në vend ka një mungesë prej 80 mijë personash në personelin e kujdesit të shëndetësisë dhe se deri më 2030 kjo shifër do të arrijë në 200 mijë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Spahn nënshkroi marrëveshje të vullnetit të mirë me institucionet përkatëse në Meksikë, ku ai ndodhet për vizitë për të zhvilluar bisedime lidhur me këtë çështje.

Ai në deklaratën për kanalin ZDF tërhoqi vëmendjen se nevoja për personel të kujdesit shëndetësor nga jashtë vendit është më e madhe se kurrë.

“Kjo punë nuk mund të zgjidhet pa ardhje të kujdestarëve nga jashtë vendit. Aktualisht kemi 80 mijë mungesa. Sipas hulumtimeve nga Universiteti i Bremenit, kjo mungesë vazhdon të rritet me dhjetëra mijëra çdo vit. Do të na duhen 200 mijë personel të kujdesit shëndetësor për të siguruar shërbimin e kujdesit deri në vitin 2030”, tha Spahn.

Gjermania është vendi i dytë në botë me popullsinë më të moshuar, tha Spahn, duke shtuar se duan të bashkëpunojnë veçanërisht me vendet me popullsi të re.

Parashikohet se mungesa e personelit të kujdesit në shëndetësi, do të plotësohet nga fuqia punëtore nga vendet me popullsi të re të tillë si Meksika dhe Filipinet.

MUND TË JU PËLQEJNË