Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është mirë ta ndjekë rrugën institucionale të zbatimit të rregullave për zyra dhe hollin e hapësirës që ajo e ka nën kontrollin e vet, shkruan “Kosovarja”.

Nuk është mirë t’i jepet shkas PDK-së, e as opozitës në përgjithësi, t’i bojkotojnë mbledhjet dhe seancat e Kuvendit të Kosovës, me gjeste që shpërfillin zbatimin e ligjit.

Më e votuara e LDK-së, që ka bërë fushatë duke garuar për postin e kryeministrit të Kosovës, ka premtuar ta zbatojë ligjin dhe Kushtetutën e shtetit.

Por, me të ardhur në krye të Parlamentit, pra të vendit ku merren vendime ligjore, ajo e ka shkelur ligjin dhe kodin e etikës institucionale.

Pse? Sepse, dihet ku qëndron fotografia e Presidentit, kushdo qoftë ai.

Nuk është ashtu si thotë Vjosa Osmani: “Ligji nuk e precizon ku qëndron fotografia e Presidentit, por ajo duhet të jetë në hapësirat e zyrës”.

Sepse, dihet ku qëndron fotografia e Presidentit të shtetit dhe specifikisht, nëse duhet interpretuar ligjin e pashkruar, fotografia e Presidentit duhet të qëndrojë në ballë të zyrës.

Dhe, Vjosa Osmani e di këtë gjë… Apo, nëse nuk e di, duhet vetëm ta kthejë aty ku ishte, nëse do të tregohet zbatuese e ligjit.

Sidoqoftë, ka shumë gjëra që nuk i definon prerazi Kushtetuta, por që ato e kanë një shpjegim logjik, edhe kur nuk precizohet me fjalë.

Për shembull, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore, ka thënë dhjetëra herë se nuk do e emërojë për ministër asnjë deputet të “Listës Serbe”, sepse, siç thotë ai, “Kushtetuta thekson me qenë një ministër serb në qeveri, por nuk thuhet se ai doemos duhet me qenë ministër i “Listës Serbe”.

Por, me të ardhur në krye të qeverisë, i ka emëruar dy ministra serbë, pikërisht nga “Lista Serbe”!

Edhe Vjosa Osmani e ka mirë kur thotë se nuk shkruan se ku duhet vendosur fotografia e Presidentit në zyrë, por logjikisht dihet ku e ka vendin fotografia zyrtare e Presidentit të shtetit.

Nëse do të ishte krejt ashtu siç thotë kryekuvendarja, kjo i bie që fotografia e Presidentit mund të lihet edhe pas dere!

Por, simbolet shtetërore, fotografia e Presidentit, nuk janë gjëra të interpretimeve të dëshirave personale, pra individuale.

Nuk janë aty për inspirime, por janë zyrtarisht obligative të mbahen. Për inspirime kujtdo që i duhet mund t’i vendosë në shtëpi dhe në cilindo vend!

Përtej kësaj, Vjosa Osmani po i jep shkas opozitës për ta bojkotuar Kuvendin. Apo, kështu ka zgjedhur zonja Osmani një shkas për ta përjashtuar nga Kuvendi opozitën më të fortë nga parlamenti? Pra, PDK-në.

Partitë politike dhe zyrtarët e lartë të shtetit, që edhe ata vijnë prej partive, duhet të mësohen ta respektojnë zyrtaritetin institucional, edhe kur nuk e duan personalisht.

Organet e larta nuk janë fontanë dëshirash të përdoren sipas qejfeve, inateve e tekeve. Por, ajo që është obliguese duhet të respektohet. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË