Kosovarët po solidarizohen me mish e shpirt me motrat e vëllezërit nga Shqipëria, që përjetuan tragjedinë e tërmetit që goditi Durrësin, shkruan “Kosovarja”.

Shumë qytetarë durrsakë deklaruan se më shumë po bëjnë kosovarët për ta zbutur tmerrin e tyre sesa vetë shteti shqiptar.

Derisa shqiptarët e Kosovës hapën dyert e shtëpive për vëllezërit nga Shqipëria, Edi Rama i tha Behgjet Pacollit në sy se edhe ata që sjellin ndihma humanitare në Shqipëri, paguajnë taksën 5 euro që e vendosi qeveria Rama!

Edi Rama, madje, i bërtiti Shefqet Kastratit pse ai krye më vete e hoqi taksës rrugore për ata që sjellin ndihma!

Të paktën, do ishte dashur që kontigjentëve humanitarë të automjeteve e autobusëve dhe të mjeteve personale që qojnë ndihma në Shqipëri t’u suspendohej taksa rrugore.

Do të ishte njerëzore dhe humane, por edhe vëllazërore që taksa të pezullohet derisa mbretëron gjendja emergjente në Shqipëri.

Solidariteti vëllazëror kosovar dhe institucional e ushtarako-policor, po vazhdon me të madhe nga Kosova në Shqipëri, por taksa rrugore i jep shije të keqe kësaj vëllazërie.

Kosovarët po shkojnë me autobusë personalë të marrin njerëz që kanë mbetur pa kulm mbi krye në Shqipëri, që t’i akomodojnë në shtëpitë e tyre, e edhe në hotele, ndërsa Edi Rama deklarohet në sytë e botës se taksën duhet ta paguajnë kosovarët dhe pikë!

Edi Rama është bërë irritues jo vetëm me sjellje karshi Kosovës, por edhe për vetë qytetarët e Shqipërisë, duke stërzgjatur me sjellje politike takimet që janë tërësisht të natyrës së humanitetit dhe zbutjes së tragjedisë që goditi Durrësin, por edhe Shqipërinë në shumë zona të tjera.

I veshur me jelek e me shallvare, Edi Rama duhet të ketë veshje protokollare edhe gjatë kohës së krizës aktuale dhe të tragjedisë që po e përjeton Durrësi.

Edi Rama nuk duhet të sillet sikur është në fusha me lule me veshje e fjalor, sepse është i zoti i shtëpisë që po kalon nëpër ditë të vështira, duke qenë në sytë e gjithë botës.

Pra, kosovarët do e paguajnë taksën, sepse sot nuk është dita as koha të shprehin dëshpërim e kundërshtim për taksën rrugore, por ajo nuk do të kalojë në heshtje një ditë kur të sanohen pasojat materiale dhe dëmet e mëdha.

Viktimat janë humbja më e madhe që ka pësuar Shqipëria jonë, e kosovarët ndajnë dhembjen me krejt ato që kanë parë e përjetuar. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË