Të shtunën që shkoi dola kah zabeli, të shijoja natyrën, erën e malit, në lëndinën e gjerë. Mbrëmja sapo kishte nisur, por ende shihej paksa larg.

I shikoja varrezat e thura me tela gjemborë, por edhe pishat dhe drunjtë tjerë dekorativë brenda telave që rrethonin varret. Imami i xhamisë së këtij vilajeti, që ka vdekur para pesë vjetësh, kur e shihte dikë të rrethonte varrin me gurë e beton, u thoshte xhematit në xhami se po ndërtonin soliter! E akuzonte xhematin se po e tepronte me ndërtim në varreza…

Por, tash, fund e krye varrezave shoh drunj dekorativë, gurë me foto të të vdekurve, gurë të ndërtuar me shije dhe mjeshtri të lartë, që kanë kushtuar, me siguri, mijëra euro dhe kjo të jep të bindesh se as varret nuk janë si dikur.

Rreth telave gjemborë shoh një grua, me të njëjtën veshje siç përshkruhej në kohën e fëmijërisë sime plaka e legjendës, e cila me veshje të bardhë shihej natën në varreza. Më rrëqethet trupi. Më ngrihen flokët përpjetë…

Largoj sytë nga ajo, në mënyrë që të qetësohem pak, meqë kam parë diçka që instinkti e ka ruajtur si legjendë nga e kaluara ime e fëmijërisë. Pas pak e shikoj përsëri dhe bindem se krejt ajo pamje ishte si në film triler…
Kujt do i them se e kam parë plakën e legjendës sime fëmijërore? Kujt do i them, kur nuk do më besojnë?!

“A jam mirë?”, i them vetes dhe vazhdoj: “A është, vërtet, plaka e legjendës? Ecjen e saj po e shoh me sytë e mi! E veshur me mantel ngjyrë dheu dhe me shami në kokë. Nuk njoh grua që sot vishet ashtu… I njoh të gjitha gratë e lagjes sime, por asnjë shtëpi nuk e ka një plakë të tillë, me veshje të tillë”.

Pas pak filloj të eci, me hapa të ngadaltë… Por, në kokë ende i bluaj po ato pyetje që ia bëra vetes pak më parë. Nëse ka ardhur ajo plakë prej dikah, nuk ka pse ta bënte këtë, meqë në varreza janë varrosur vetëm njerëzit e fshatit tim.

Çudi, a?!

Pastaj, i afrohem edhe më afër. Dua t’i flasë… Por, ajo vazhdon të ecë përreth telave gjemborë… I bie sikur unë po e ndjek pas… Ajo ecte para meje e unë pas saj…

Dhe, në momentin kur i afrohem më së afërmi, ajo afrohet shumë afër varrit të shumëpërfolur, të ashtuquajturit “Varri i hallës”… Në çast zhduket sikur të mos kishte qenë fare…
Ndërkohë, i bëj pyetje vetes: “A thua, e kam parë “Plakën e varreve” apo më është shfaqur shkaku i kujtimit tim nga fëmijëria?”.

E di se sa herë nuk flija me kohë, nëna më thoshte: “Fle, se vjen e të merr “Plaka e varreve”!”.

Por, jo, nuk ishte halucinacion…. E kam parë plakën me sytë e mi, teksa ecte rreth telave gjemborë të varrezave… Plaka sikur kërkonte diçka… E di, sipas të parëve, se ajo e kërkon të birin e vet dhe nuk i bën gjë të keqe askujt….

Legjendat dhe mitet pagane thonë se dikujt i kthehet shpirti nëse ka vdekur syhapur, me ndonjë merak…

E, plaka, me siguri, do ketë vdekur syhapur, me mallin për të birin e vet…Ngaqë nuk e kishte pasur të birin afër në çastet e vdekjes, asaj do i jetë kthyer shpirti në trup dhe do i ketë dhënë fuqinë ta kërkonte të birin, madje edhe me shekuj…

Ashtu thonë edhe paganizmi dhe lashtësia mitike se shpirti nuk do e braktisë trupin deri në një lajm të ri… Andaj, shpirti i plakës ka mbetur aktiv, në kërkim të të birit…

Pse doja të flisja me “plakën”?

Isha i disponuar ta takoja plakën dhe t’i thosha të kthehej në varrin e vet, në shtëpinë e saj të përjetësisë, sepse nga kjo kohë, kur edhe ka vdekur ajo, nuk ka mbetur më asgjë.

Tash është krejt ndryshe… Se bota jonë është e mbushur me bërllok e gënjeshtra dhe është botë që të shikon në sy e të gënjen haptazi, si burri që kishte gjetur shpjegim për gjithçka… Ai kishte qenë rrenacaku më i madh në atë anë… Por, edhe kur vdes e shkon në botën tjetër, edhe atje e kishte pasur vendin e nderit. Vdes imami dhe kur shkon në atë botë e sheh rrenacakun si ishte ulur në krye të vendit dhe i gënjente të tjerët. Imami i tha:

“Qysh ti në krye të vendit?! A e di sa ke gënjyer në botën që e kemi lënë?!”.

“Po, kam gënjyer atje, prandaj edhe i kanë thënë botë e rrejshme!”.

Andaj, nuk di kur dhe kush do e takojë përsëri plakën, por di se ajo nuk shfaqet për diçka të mirë mbi tokë…
E, çka do të ndodhë, një Zot e di…
Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË